Mediat serbe zbulojnë se Partizani i Beogradit do të vijë në Shqipëri me 4 roje shtesë nga Beogradi, pasi serbët nuk ndihen 100% të sigurtë me forcat e shumta speciale shqiptare që do t’i presin në aeroport. Por jo vetëm kaq sepse edhe ushqimi dhe uji do të transportohen nga Beogradi drejt Shqipërisë.
Serbët do të marrin me vete edhe kuzhinier pasi ndiejnë frikën e ndonjë helmimi të mundshëm. Sfida e kësaj të enjte në “Elbasan Arena” mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit ka kaluar kufijtë sportivë për shkak të situatës politike që ekziston mes dy vendeve.
Mediat serbe më shumë sesa rezultatit që do të prodhojë fusha e lojës po i bëjnë jehonë çështjes së sigurisë së delegacionit serb. Për të ç’tensionuar disi situatën ka menduar një nga drejtuesit e Partizanit Millos Vazur i cili për mediat serbe ka deklaruar: “Ne jemi në kontakt me njerëzit në Tiranë, që e kanë ngritur nivelin e sigurisë për ne. Presim eskortë speciale policie gjatë të gjithë kohës dhe besojmë tek aftësitë e policisë shqiptare. Kemi gjithashtu personel sigurie tonin për të gjithë delegacionin.
Do të akomodohemi në të njëjtin hotel ku ishte edhe kombëtarja serbe. Çdo stërvitje do të zhvillohet në Tiranë. Kemi parë çdo lloj provokimi, por nëse kjo ndodh në Shqipëri, do të përgjigjemi në fushë. Jemi të interesuar për sport dhe jo politikë”.