Partneriteti publiko privat rrit sigurinë nacionale kibernetike

????????????????????????????????????
Prishtinë | 02 Nën 2020 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Avancimi digjital i përshpejtuar nga pandemia COVID-19  ka sjellë përfitime të ndryshme për shoqërinë, por në të njëjtën kohë u ka hapur rrugë rreziqeve të padukshme kibernetike. Gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me një panel ekspertësh vendor dhe të huaj, u diskutua epoka e re e sigurisë kibernetike, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme rreth sigurisë kibernetike, si dhe rëndësia e partneritetit publiko-privat dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë aspekt. 


Xhavit Gashi, këshilltar i jashtëm i Odës Ekonomike Amerikane, njëherit edhe moderator i këtij eventi, tha se situata globale e krijuar nga pandemia COVID-19 e ka rritur rëndësinë e sigurisë kibernetike, por gjithashtu edhe numrin e rreziqeve që burojnë nga ajo. 


Gjenerali Timothy Orr, ish drejtor për mbrojtje publike në shtetin e Iowas, theksoi se në Shtetet e Bashkuara gjerësisht përdoret partneriteti publiko-privat për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe rrjetet, si dhe për të shtyrë strategjinë e përgjithshme kibernetike. Sipas tij, çdo qeveri duhet të ketë një strategji kibernetike me të cilën përcaktohet funksionimi i vendit në këtë aspekt, duke krijuar një kornizë për ndarjen e informatave mbi rreziqet kibernetike që u kanosen sektorit publik dhe atij privat.


Doug Jacobson, profesor dhe drejtues i Qendrës për Siguri të Informacionit në Universitetin Shtetëror të Iowas, tha se rëndësi e veçantë në këtë vend po i kushtohet edukimit të shoqërisë mbi sigurinë kibernetike. Sipas Jacobson, gjatë kësaj periudhe të përdorimit edhe më të madh të digjitalizimit janë parë shumë praktika mashtruese, siç janë ato të dërgimit të emaileve të rreme me qëllim të zbulimit të informacioneve personale, të cilat kryesisht targetojnë individët, por edhe të tjera më serioze me target bizneset.


Lajos Antal, udhëheqës për shërbimet e rrezikut kibernetik në Evropën Qëndrore brenda kompanisë Deloitte, tha se sulmet kibernetike të cilat në nivel global kanë qenë në rritje gjatë kësaj kohe, përveç se dëmtojnë financiarisht kompanitë, dëmtojnë edhe marrëdhëniet me partnerët, shitësit e besueshëm dhe akterët e tjerë. Sipas tij, siguria kibernetike kërkon investime, por megjithatë është e pashmangshme dhe luan rol imperativ në mbrojtjen nga sulmet të cilat targetojnë kompanitë.


Kujtim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, theksoi se kjo kohë ka krijuar një mundësi të mirë për sinkronizim të aktiviteteve lidhur me sigurinë kibernetike në mes të sektorit publik dhe atij privat. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që gjatë viteve të fundit janë rritur kapacitetet e sigurisë kibernetike në infrastrukturën shtetërore, dhe sulmet deri më tani janë përballuar me sukses. 


Xhanan Karaqa, udhëheqëse e departamentit të sigurisë në NLB Bank, potencoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjithashtu janë ballafaquar me sulme kibernetike të cilat janë të pranishme në çdo shtet të botës, ndërsa theksoi rëndësinë e rritjes së njohurive tek këto ndërmarrje lidhur me rreziqet kibernetike, në mënyrë që të njëjtat të kenë mundësi të mbrojnë rrjetet dhe të dhënat e tyre. 


Rina Basholli, inxhiniere e avancuar në sigurinë e informacionit, theksoi se tashmë me një avancim të përshpejtuar nga pandemia, mundësitë e rritura për sulme kibernetike kanë prekur vektorë të ndryshëm të sigurisë. Sipas saj, mungesa e njohurive për sigurinë kibernetike mbetet një sfidë, derisa ekziston nevojë për ngritje të ndërgjegjësimit tek shoqëria ndaj sulmeve të mundshme, dhe nevojës për të qenë pro-aktiv në këtë aspekt.


Mentor Hoxhaj, kryetar i Cyber Security and Privacy, tha se një ndër problemet kryesore lidhur me sigurinë kibernetike është mungesa e raportimit të shkeljeve në të dhëna dhe mungesa e investimeve në një infrastrukturë kibernetike. Hoxha gjithashtu theksoi nevojën për krijimin e një standardi për raportim, dhe rritjen e transparencës në mënyrë që të hartohen sistemet mbrojtëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme