Kuvendi i Kosovës nuk e ka votuar rishikimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2017, pas rreth nëntë orë debatesh të ashpra pozitë-opozitë.
Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim, megjithëse ishin në sallë. Ndërkohë pozita nuk i pati 61 votat e nevojshme pasi mungonin disa deputetë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dy herë e hodhi në votim, por Projektligji mori vetëm 60 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas rregullores, për kalimin e buxhetit kërkohen 61 vota.
Veseli tha se në këtë rast mungon vendimmarrja andaj vazhdimi i seancës fo të mbahet nesër nga ora 10:00.
Seanca që zgjati rreth nëntë orë u shfrytëzua për fushatë nga të gjitha partitë dhe për akuza mes pushtetit e opozitës. “Shtizat u thyen” sidomos për çështjen e pagesës së veteranëve të UÇK-së dhe (mos)përfshirjen në buxhet të ndërtimit të autostradës në drejtim të Gjilanit.
Përmbajtje e buxhetit të rishikuar, ku një numër projektesh të parapara janë tërhequr nga versioni i ri, e paraqiti ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai tha se ulja e buxhetit nga 2 në 1.8 miliard është bërë pasi mungojnë mjetet.
Hamza ka thënë se duhet të paguhen obligimet ndaj punëve të kryera në autostradën “Arbën Xhaferi”, veteranëve dhe pagesat nga vendimet gjyqësore.
Hamza ka thënë se edhe pse është larguar autostrada për Gjilan për këtë vit, ajo do të ndërtohet vitin që vjen dhe e gjitha me financim nga buxheti dhe jo nga fondet tjera. Vetëvendosje ka konstatuar se lëvizjet e bëra në buxhet janë në kurriz të investimeve kapitale dhe me qëllime elektorale.
Kundër këtij buxheti ishte edhe LDK-ja, e cila në qeverinë e kaluar udhëhoqi Ministrinë e Financave dhe e kishte përgatitur buxhetin në 2 miliardë.
Rishikimi vjen për diskutim në kuvend rreth dy muaj para përfundimit të vitit buxhetor dhe pak ditë para se legjislativi të merret me buxhetin e 2018-ës.