Deklarata e prokurorit të dorëhequr tashmë, Elez Blakaj, në të cilën ai flet për presionin që kishte për të hetuar veteranët e rrejshëm dhe aferën “Pronto”, ka nxitur reagimet të atyre që përcjellin zhvillimet në vend.
Njohësi i sistemit të drejtësisë në vend, Vigan Qorolli, ka thënë se “VETINGU është shpëtimi i sistemit të qelbtë të drejtësisë kosovare”.
Shpresën për këtë e ka te SHBA-të.
“Shpresë që ambasadori i ri amerikan, Phil Kossnet, do t’ia nis sa me parë këtij procesi — për t’i çu hienat politike në shpi përgjithmonë”, ka shkruar Qorolli, përcjell Koha.net.
Lexo edhe: Prokurori Blakaj thotë të ketë qenë i kërcënuar nga veteranët e rrejshëm, implikon Veselin e Lumezin
Albert Krasniqi i KDI-së, ka thënë se kjo është dëshmi se pse “asnjë rast i profilit të lartë nuk është dënuar për korrupsion, në vendin me pothuajse nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë”.
“Sa ata kanë prokurorë e gjyqtarë që i mbrojnë e kujdesën që këta të pasurohen çdo ditë, në dëm të shtetit”, ka thënë Krasniqi, teksa ka kërkuar dorëheqjen e Lumezit.
“Dorëheqja e kryeprokurorit është e domosdoshme për t’i hapur rrugë një hetimi më të gjerë dhe të pavarur prej politikës. Pa u këndellur sistemi i drejtësisë nuk do të këndellemi asnjëherë si shtet”, ka thënë Krasniqi.
Flutura Kusari, ka thënë se “Elez Blakaj është sinjalizues/whistleblower dhe meriton mbështetje”.
Analistja Besa Luzha ka pyetur se si të trajtohet mesazhi e protesta, siç e quajti reagimin e tij të pas dorëheqjes, Elez Blakaj.
“Nëse kjo është e vërtetë, kapja e shtetit qenka dokumentuar tashmë”.