Pas Gjakovës Bonevet hap punëtorinë kreative “Makerspace” edhe në Prishtinë

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 19:56 | Nga Donika Osmani

Është bërë hapja zyrtare e punëtorisë kreative të llojit “Makerspace” Bonevet.

“Bonevet” është një mjedis i të mësuarit ku fëmijët dhe të rinjtë inkurajohen të zbulojnë talentet dhe aftësitë e tyre përmes teknologjisë së përparuar, raporton Ekonomia Online.

Hapësira e parë kreative “Bonevet” u themelua në Gjakovë në vitin 2014.

Vllaznim Xhiha, themelues i fondacionit “Bonevet” dhe inxhinier i elektroteknikës tha se punëtoria kreative është mjedis në të cilin fëmijët mund të zbulojnë talentët dhe shkathtësitë e tyre.

“Ky është një mjedis stimulues ku fëmijët inkurajohen që të zbulojnë talentët dhe shkathtësitë e tyre dhe ne i zhvillojmë ato me pasion dhe me dashuri”, ka thënë ai.

“Kjo arrihet përmes lojës aktive dhe teknologjisë dhe besojmë që kjo ka pasur një ndikim të rëndësishëm brenda komunitetit të Gjakovës dhe vazhdon të japë shpresë komunitetit që është lënë i vetmuar. Kemi filluar me klasat e para në robotikë, në elekteronikë, shkencë dhe arte, që nga atëherë 1400 djem dhe vajza kanë marrë pjesë në këto klasa”, ka shtuar ai.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka theksuar se duhet punë edhe më shumë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për vende të reja të punës.

“Shpresoj që vitin e ardhshëm do të kemi 1000 fëmijë të cilët do të përfitojnë nga “Bonevet Prishtina”, kjo është mbresëlënëse, disa prej punëtorëve të ambasadës po dërgojnë fëmijët këtu dhe kjo është vend shumë i mirë. Këto hapësira janë unike sepse kërkojnë inovacion, kreativitet dhe mundësojnë formimin e inovatorëve të rinj”, ka thënë Delawie.

“Mendoj se shumë prej nesh mund të punojmë në partneritet me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar rritjen e sektorit privat dhe t’u japim këtyre ndërrmarrsëve një fushëveprim të barabartë duke ju ndihmuar dhe duke krijuar mjedis të mirë për punë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka thënë se kjo punëtori kreative është mundësi për të rinjtë kosovar që të materializojnë idetë dhe kreativitetin e tyre.

“Bonevet është lokacion që jep mundësi unike për të rinjtë që të materializojnë idetë dhe të krijojnë secili kreativitetin e tyre. E di që shumë kosovar e shohin Zvicrën vend të zhvilluar si një prej vlerave më të rëndësishme që kemi është sistemi jonë arsimor ku 70% e studentëve tanë shkojnë nëpër shkollat e trajnimit profesional qëllimi është të kryhet diçka shumë konkrete që të ju mundësohet praktikimi”, ka thënë Hubert Lebet.

Të ngjashme