Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Pejë.
I pari i Pejës po hetohet për dhënie të lejes së ndërtimit për një objekt banesor në këtë qytet.
Ai dyshohet se ka dhënë leje ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme dhe jashtë planit urban të qytetit për ndërtimin e objektit banesor “Delta”.
Tek organi i akuzës, tashmë ka arritur rasti në fjalë nga Policia, konkretisht nga Njësiti i Krimeve Ekonomike.
Me të tani po merret prokurori Agron Galani, i cili tha për gazetën Objektiv se rasti është në fazën fillestare dhe prokuroria është në fazën e grumbullimit të informatave dhe varësisht nga kjo, rasti do të procedohet tutje.
Por Galani, nuk ka treguar se a është intervistuar kryetari i Pejës.
“Është në raport jemi tu punu në të, kur të ka diçka ju lajmëroj. Është në përpunim e sipër, është në procedurë paraprake tash e kqyrim nuk mund të themi asgjë përpara”, tha Galani.
Edhe opozita në këtë qytet thonë se kjo leje ndërtimore është dhënë në mënyrë të kundërligjshme nga kreu i komunës.
Sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, Fisnik Dema tha se presin që Prokuroria të ngritë aktakuzë për këtë rast.
“Lejen ja ka dhënë për dy kate me tepër, në krye në vete e ka bërë këtë veprim. Për këtë duhet me u ngritë aktakuzë. Në Asamble Komunale është diskutuar kjo, por kryetari është arsyetuar kot. Mbetet që prokuroria me krye punën e vet”, theksoi Dema.
Ndërsa gazeta Objektiv gjatë ditës së hënë e ka pasur të pamundur të kontaktoj me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxhirin, pasi ky i fundit nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës.
E shqetësim për ndërtimet pa leje në qytetin e Pejës kanë edhe organizatat joqeveritare.
Naser Lajqi nga organizata “Syri i Vizionit”, tha se ndërtimet pa leje po vazhdojnë ende, por fajtorët nuk po ndëshkohen.
“Qytetin e Pejës gjithë e ka përcjellë kjo dukuri, por edhe në vitet e fundit, ku ndërtuesit tejkalojnë numrin e etazheve e për çka komuna ish dashtë të veprojë, nuk kemi pa që është rrezuar ndonjë prej këtyre objekteve, edhe pse Komuna e Pejës e ka rishikuar planin rregullativ, as pas miratimit të tij nuk ka ndonjë veprim konkret as sa i përket legalizimeve e sa i përket rrënimeve të mundshme. Njerëz të akuzuar për këtë çështje vazhdojnë të enden sallave të gjyqit pa pasur ende një vendim final, njëjtë vazhdon avazi i ndërtimeve të tjera pa leje”, potencoi Lajqi.
Objektiv ka tentuar që të marrë edhe versionin e pronarit të objektit “Delta”, Sefedin Berisha, por ka qenë i pa mundur kontakti me të.