Kosova dhe Shqipëria kanë thelluar dukshëm bashkëpunimin energjetik. Kulmi është arritur me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri, e cila do të ndikojë në optimizimin e sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së dy sistemeve, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.
Mirëpo, që të dy vendet ende janë importuese të energjisë nga vendet e treta. Përfaqësuesit e të dy korporatave energjetike – asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, shprehin nevojën e investimeve në rritjen e kapaciteteve gjeneruese.
Agron Hetoja, drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESh), ka folur rreth bashkëpunimit të mirë që kanë me Korporatën Energjetike të Kosovës, për të cilën thotë se është një bashkëpunim që po vjen duke u përmirësuar nga viti në vit.
“Si rrjedhojë e marrëdhënies që janë vendosur dhe po fuqizohet ndërmjet dy Qeverive tona, është bërë e mundur edhe krijimi i mjedisit që marrëdhëniet ndërmjet dy ndërmarrjeve publike të energjisë elektrike të fuqizohen. Është përmirësuar edhe infrastruktura dhe të dy ndërmarrjeve tona na takon që në kuadër të proceseve të reformave ta thellojmë gjithnjë e më tepër bashkëpunimin”, deklaroi Hetoja.
Kreu i KESh-it i bëri komentet për një grup gazetarësh nga Kosova, të cilët gjatë fundjavës vizituan Hidrocentralin e Komanit, ku u njoftuan për kapacitetet prodhuese dhe punën që bëhet këtu.
Duke folur për linjën e interkonjeksionit, e cila u përurua përfundimisht muajin e kaluar, Hetoja tha se ky është një investim madhor, i cili krijon kushte që dy gjeneruesit publikë të investojnë në rritjen e kapaciteteve gjeneruese dhe t’i përmirësojmë praktikat e shkëmbimit, duke ndihmuar njëra-tjetrën në situata emergjente.
“Sistemet energjetike karakterizohen nga fakti që Shqipëria është pothuajse 100% hidro, ndërsa prodhuesi në Kosovë është i bazuar në termocentrale. Duke pasur parasysh këtë, ekziston mundësia e bashkëpunimit gjithnjë e më e thellë. Mirëpo fatkeqësisht, akoma të dy vendet janë importues të energjisë. Kjo e shpreh para neve nevojën dhe domosdoshmërinë që neve duhet të investojmë në rritjen e kapaciteteve gjeneruese”, u shpreh Hetoja.
Edhe Njazi Thaçi, drejtor i Operativës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e energjisë e cilëson si të shkëlqyeshëm. Ai thotë se Kosova dhe Shqipëria i dalin në ndihmë njëra-tjetrës në rast nevoje.
“Së fundi kemi pasur një rast kur na është dashur urgjent energji dhe këta për 10 minuta kanë reaguar dhe kanë bërë zgjidhje, duke ofruar furnizim për komplet konsumatorët e Kosovës”, theksoi Thaçi.
Komani, në kaskadën e lumit Drin, të cilin e vizituan gazetarët e mediumeve të Kosovës së bashku me përfaqësues të KEK-ut, është hidrocentrali me kapacitetin më të madh në Shqipëri.
Fuqia totale e HEC Koman është 600 MW. Prodhimi vjetor është mesatarisht 1,800 GWh. Kjo sasi përbën rreth 45% të prodhimit të Kaskadës.
Fotot: Ekonomia Online