Presidenti argjentinas, Mauricio Macri, ka premtuar një sërë masash ekonomike, që shumë i shohin si një përpjekje për të rritur mundësitë e tij për rizgjedhje në post pas paraqitjes së dobët në sondazhe.
Qeveria argjentinase thotë se ka rënë dakord me tregtarët e shitjes me pakicë për të rregulluar çmimet për 60 produkte bazë për të paktën gjashtë muaj.
Ministri i Financave, Nicolas Dujovne, shprehet se qeveria kërkon të sjellë lehtësim për familjet argjentinase në këtë kulm të inflacionit.
“Ne i konsiderojmë këto masa të reja si fillimin e një faze të re, ku po lëmë pas paqëndrueshmërinë e monedhës, që ka pasur një ndikim kaq dramatik në jetën tonë të përditshme gjatë vitit të kaluar. Kjo paqëndrueshmëri shpjegon në një masë të madhe nivelet e larta të inflacionit që kemi parë, veçanërisht në muajt e fundit, mars dhe prill”, Dujovne, përcjell Telegrafi.
Inflacioni po përshpejtohet si rezultat i krizës së kursit të këmbimit vitin e kaluar, që e zhvlerësoi peson argjentinase me më shumë se 50 për qind. Rritja e çmimeve vjet ishte 47.6 për qind, më e larta që nga viti 1991.
Banka Qendrore e Argjentinës kishte rritur normat e interesit pasi peso kishte vazhduar të bie ndjeshëm.
Inflacioni në Argjentinë vazhdon të jetë një problem i vazhdueshëm, ku në vitin 2017 ishte në 25 për qind, shkalla më e lartë në Amerikën Latine përveç Venezuelës.