Të hënën, në teatrin “Argentina” të Romës është mbajtur një koncert recital në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.
Inva Mula, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Lorik Cana, Elhaida Dani, Ermal Meta, e Erza Muçolli janë vetëm disa nga emrat që performuan para publikut në këtë natë.
Tenori kosovar me famë botërore, Ramë Lahaj ishte po ashtu i emocionuar, teksa ka kënduar para publikut këngën e famshme të Vaçe Zelës, “Rrjedh në këngë e ligjërime”.
Përgjatë kohës sa ka qëndruar në Vatikan, ai ka pasur rastin të takohet edhe me Papën, teksa ka hedhur disa foto gjatë takimit me këtë të fundit, në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
Në mbishkrimin e fotografisë, Lahaj thotë se e pati për nderë të këndojë në kujtim të një heroi të madh, siç ka qenë Skënderbeu.
Tutje, ai ka shkruar dhe ka shprehur dëshirën që Vatikani të rishqyrtojë seriozisht njohjen e Kosovës si shtet, pasi Vatikani ka ende qëndrim neutral ndaj Pavarësisë së shtetit të Kosovës.
“Ishte privilegj që vjen rrallë në jetë. Kënaqësi të takoja Papa Françeskun (@franciscus) me rastin e shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë të madh, Skënderbeut! Atë ditë në audiencë ishin figurat dhe ambasadorët më të ndritur të kombit që emrin e shqiptarëve e kanë lartësuar në piedestal dhe shpresoj që kjo Vatikanin do ta bëjë ta mendojë seriozisht njohjen e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Ramë Lahaj në Instagram.