Vatikani mbështet zgjidhjen me dy shtete në çështjen palestinezo-izraelite

Prishtinë | 21 Maj 2020 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Vatikani tha se në kontekstin e çështjes palestinezo-izraelite mbështet zgjidhjen me dy shtete brenda kufijve para vitit 1967 dhe beson se paqja më në fund mund të mbizotërojë në vendin e shenjtë, të cilin e duan hebrenjtë, krishterët dhe myslimanët.

Zyra për media e Vatikanit, siç transmeton AA, tha se kryenegociatori për Palestinën, Saeb Erekat ka biseduar me sekretarin e selisë së shenjtë për marrëdhënie mes shteteve, kryepeshkopin Paulo Richard Gallagher.

Erekat gjatë bisedës informoi Vatikanin “për zhvillimet më të reja në territorin palestinez dhe mundësinë e zbatimit të njëanshëm të sovranitetit izraelit në disa territore palestineze dhe përkeqësimit të mëtejshëm të procesit paqësor”.

Në vazhdim u potencua se Vatikani respekton të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

“Është një element i pamohueshëm se dy popujt jetojnë pranë njëri-tjetrit në dy shtete brenda kufijve para vitit 1967, që janë të njohur edhe ndërkombëtarisht. Vatikani ndjek nga afër situatën dhe shpreh shqetësim për hapat të cilat mund të rrezikojnë dialogun”, thuhet në deklaratë.

Vatikani shpreson se izraelitët dhe palestinezët së shpejti do të gjejnë mundësinë e bisedimeve për marrëveshje direkte me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. U konstatua se paqja më në fund mund të mbizotërojë në vendin që e duan hebrenjtë, krishterët dhe myslimanët.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në prani të kryeministrit izraelit Benjamin Netyanahu më 28 janar të vitit 2020 prezantoi të ashtuquajturin plani paqësor i Lindjes së Mesme.

Në kuadër të planit, Trump tha se njohin Kudsin, si qytet të pandarë, si kryeqytet të Izraelit dhe se ky është shansi i fundit për një shtet të pavarur palestinez.

Plani i ashtuquajtur amerikan i paqes, i mundëson Izraelit aneksimin e të gjitha pjesëve të saj së bashku me Luginën strategjike të Jordanit.

Palestinezëve do t’u lejohet një autonomi e kufizuar në disa pjesë të territorit me kryeqytet në periferi të Kudsit, por vetëm nëse plotëson kushtet e rrepta.

Trump porositi se ky është shansi i fundit për vendosjen e një shtetit të pavarur palestinez ndërsa pala palestineze në mënyrë kategorike e hodhi poshtë planin e propozuar, pasi neglizhon të drejtat e popullit palestinez.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme