Mjekët, policët e zjarrfikësit do të shpërblehen me nga 300 euro shtesë për angazhimin e tyre të shtuar gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit.
Kjo u bë e ditur nga ministria e Financave, por që jashtë kësaj pakoje mbetën ushtarët e FSK-së.
E për ushtarët, zv/ministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli ka thënë se do të bëhet një zgjidhje.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se do të prezentohet një listë e pjesëtarëve të FSK-së dhe kapacitetet e angazhuara në luftën kundër koronavirusit.
“Ministria e Mbrojtjes, do hartojë dhe prezantojë listën e pjesëtarëve të FSK-së dhe kapacitetet e angazhuara kundër COVID-19, që të përfshihen në pakon financiare mbështetëse të prezantuar nga Ministri i Financave dhe Transferëve, z.Besnik Bislimi”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Postimi i plotë i Dugollit në Facebook:
Një sqarim për ushtarët e FSK-së:
Desha të siguroj të gjithë ushtarët e FSK-së që kanë qenë të angazhuar në aktivitetet mbështetëse në parandalimin e përhapjes së Corona Virusit COVID-19, se në asnjë mënyrë nuk do mbesin jashtë vemendjes së Qeverisë.
Ministria e Mbrojtjes, do hartojë dhe prezantojë listën e pjesëtarëve të FSK-së dhe kapacitetet e angazhuara kundër COVID-19, që të përfshihen në pakon financiare mbështetëse të prezantuar nga Ministri i Financave dhe Transfereve, z.Besnik Bislimi.