Shtetit të Kosovës shumë shpejt mund t’i hapet edhe një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kësaj radhe nga kompania amerikane “Madison Global Strategies”, me të cilën para nëntë muajsh ishte nënshkruar një kontratë lobimi nga ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Buletini Ekonomik sjell detajet.
Një kontratë lobimi e nënshkruar me 17 qershor 2019, mes Dhurata Hoxhës në cilësinë e ministres së Integrimit Evropian dhe kompanisë amerikane “Madison Global Strategies”, mund të përfundojë shumë shpejt në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Një dokument i brendshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik, hedh dritë mbi parregullsitë që e përcollën zbatimin e kësaj kontrate.
Kompania amerikane me bazë në Nju Jork është duke kërkuar nga shteti i Kosovës një dëshmpërblim prej gjysmë milioni euro, me arsyetimin për shkelje të kontratës nga pala kosovare. Kjo është trefish më shumë sesa çmimi fillestar i kontratës, që kap vlerën e 152 mijë eurove.
Në bazë të marrëveshjes bazë, MIE obligohej që për çdo muaj të kryente pagesa në vlerë prej 19 mijë euro për kompaninë “Madison Global Strategies, LLC”. Dhe kjo, për nëntë muaj me radhë sa edhe kishte afat kontrata. Në anën tjetër, kompania amerikane ishte e obliguar që të kryente shërbime të konsulencës si dhe këshillim në favor të Ministrisë, e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.
Ndërprerja e njëanshme e kontratës nga MIE
Mirëpo, kontrata u zbatua vetëm në tre muajt e parë. Pas tre muajve u ndërpre cikli i pagesave nga ana e ministrisë kosovare. Saktësisht më 6 shtator 2019, në dokument thuhet se zyrtartët e MIE-së e njoftuan kompaninë për ndërprerje të njëanshme të kontratës me arsyetimin se qeveria është në dorëheqje dhe se nuk mund të kryhen më pagesa.
“Sipas një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm Cukaj, MIE ka paguar vetëm tre mujorin e parë, nga obligimet sipas kontratës, derisa ata (Operatori Ekonomik nga SHBA) kanë kërcënuar MIE me arbitrazh ndërkombëtar për realizimin e pjesës së mbetur, “plus dënimeve për dëmin e pësuar ligjore nga mos ekzekutimi i pagesave me kohë”, si pasojë e mos përmbushjes së kontratës nga MIE me kërkesën e tyre prej 513,000.00 Euro”, thuhet në raportin e MIE-së, të siguruar nga Buletini Ekonomik.
Por, dokumenti i ministrisë që këto ditë ka përfunduar edhe në Zyrën e Kryeministrit Kurti, hedh dyshime nëse është dashur të shkëputet kontrata. Madje, aty vihet në dyshim edhe arsyetimi se “kjo gjë është bërë për shkak të dorëheqjes së qeverisë”.
“Pra, derisa në rastin e kontratës lobuese me kompaninë amerikane, është kërkuar ndërpreja e kontratës shkaku i dorëheqjes së qeverisë (me 19.07.2019), në kontratën mediale dhe në kontratën lobuese me kompaninë fraceze, kjo nuk është bërë por, MIE ka vazhduar pagesat kontraktuese edhe pas dorëheqjes së Qeverisë”, thuhet ay.
Pra, në kontratat tjera të kësaj ministrie u gjet se nuk ishin aplikuar standarde të njëjta. Pagesa ishin kryer edhe pas dorëheqjes së qeverisë.
Sipas këtij dokumenti, vendim i datës 11 Nëntor 2019 për shkëputje të njëanshme të kontratës nga MIE, është nënshkruar nga Kushtrim Cukaj – Sekretar i Përgjithshëm i MIE, dhe nga Burim Guri – Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në këtë ministri.
Dyshime për shkelje të ligjit
Në raport thuhet se këto veprime dyshohet se bien ndesh me ligjin.
“Bazuar në shkresat, duket se ka dyshime për shkelje të ligjit dhe si rrjedhojë kjo kontratë duhet trajtuar si e ndërprerë që me 6 shtator 2019, përkatësisht me vendimin e MIE të datës 11.11.2019”, thuhet aty.
Madje, raporti saktëson se “bazuar në disa informacione jo-zyrtare për implikim të ish zyrtarëve të lartë nga vendi i selisë së kësaj kompanie, ky rast, pos pasojave juridike, gjyqësore dhe financiare, mund të shkaktojë edhe pasoja politike e diplomatike”.
Në raport thuhet se meqë kompania lobuese nuk po heq dorë nga kërkesat për pagesën e mbetur nga ana e MIE-së, “duke na kërcënuar me shumëfishimin e saj dhe nxjerrjen e të njejtës me procedurë të arbitrazhit ndërkombëtar”, propozohen të ndërmerren tre hapa.
“Së pari duhet bërë edhe një përpjekje për mbylljen e këtij transkacioni kontraktues – jashta gjykatës, duke u thirrur në rrethanat objektive që pamundësuan përmbushjen e obligimeve tona kontraktuese si pasojë e dorëheqjes së Qeverisë me 19 korrik 2019. Nëse, kompania lobuese nuk pajtohet me arëyetimin tonë dhe këmbngulë në kërkesën e tyre financiare, kurse ne injorojmë kërkesat e tyre dhe shkojmë në zgjidhje gjyqësore atëherë mbeten dy mundësi: Në procedurë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, procesi edhe mund të zgjatet me vite dhe bazuar në argumentet tona edhe mund t’a fitojmë rastin”.
Tutje aty thuhet se “nëse kompania lobuese insiston siç po kërcënohet nga shkresat e fundit që të na padis para Arbitrazhit Ndërkombëtar, atëherë bazuar në formulimin e dispozitave kontraktuese, rastin mund t’a humbim dhe të detyrohemi t’a paguajmë shumëfish më lartë obligimin e pretenduar prej tyre”.
Detaje nga kontrata
Më 17 qershor, pak para zgjedhjeve, Dhurata Hoxha në cilësinë e ministres së Integrimit Evropian nënshkroi një kontratë të dyshimtë “për konsulencë dhe planifikim strategjik” me firmën lobuese amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, të udhëhequr nga një biznesmen restorantesh në Nju Jork. Fjala është për Joe Allaham, i cili figuron si drejtor ekzekutiv i “Madison Global Strategies, LLC”.
Vlera e kësaj kontrate peshon 152 mijë e 232 euro, apo 171 mijë dollarë amerikanë.
Sipas kontratës, pagesa mujore që Ministria do t’i kryejë firmës “Madison Global Strategies, LLC” është 19 mijë dollarë apo 15 mijë e 146 euro në muaj.
Sipas obligimeve të marrëveshjes, thuhet se firma amerikane ka për detyrë të sigurojë takime me kongresmenë amerikanë dhe njerëz të Administratës Trump, për të ndihmuar në pozitën e Kosovës në çështjet e sigurisë.
“”[Organizimi, v.j] i takimeve me anëtarët e Kongresit dhe Administratës, për shembull për të avokuar pozitën e Kosovës në çështjet rajonale të sigurisë”, thuhet në përshkrimin e kontratës nga firma amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, e publikuar pranë agjencisë së Departamentit Amerikan të Drejtësisë.