Në fshatin Shipashnicë e Poshtme të Komunës së Kamenicës, ka ndodhur një përplasje mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe banorëve lidhur me një shkollë në këtë fshat e cila ishte mbyllur shkaku i reformave që ndodhën në fushën e arsimit.
Ndaj këtyre ngjarjeve ka pasur reagime të shumta nga spektri politik.
Së fundmi ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Haxhiu përmes një shënimi në Facebook ka kërkuar shkarkimin e kryetarit Qëndron Kastrati.
Këtë kërkesë deputeti i PDK-së thotë se e bazon në ligjin për qeverisje lokale.
“Katër vitet më parë qytetarët e Kamenicës votuan për ndryshim, ndërsa sot pushteti që e zgjodhën po ushtron dhunë ndaj qytetarëve për një të drejtë elementare që ata po e kërkojnë dhe që ju takon me Ligj dhe Kushtetutë, arsimimin e fëmijëve”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.
Deputeti opozitar thotë se Qëndron Kastrati ka keqpërdorur besimin e qytetarëve.