Pas paktit Francë – Greqi për mbrojtje, Turqia reagon në NATO

Prishtinë | 23 Tet 2021 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka thënë se formimi i aleancave jashtë NATO-s do t’i dëmtojë raportet dypalëshe mes vendeve dhe vetë këtë organizatë. Deklarata e tij erdhi pasi Greqia dhe Franca arritën një pakt në fushën e mbrojtjes muajin e kaluar.

Greqia dhe Franca në shtator nënshkruan një marëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe strategjisë ushtarake, ku përfshihet blerja e tri luftanijeve franceze nga Greqia për rreth tre miliardë euro.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha këtë muaj se marrëveshja do t’u lejojë vendit të tij e Francës që t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit në rast të një kërcënimi të jashtëm, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Duke marrë parasysh që ne jemi brenda NATO-s, të gjithë duhet ta dinë se kërkimi i aleancave të ndryshme jashtë kësaj organizate do t’i dëmtojë edhe NATO-n, edhe raportet tona dypalëshe dhe do ta lëkundë besimin”, tha ministri turk para gazetarëve pas një takimi të ministrave të shteteve të NATO-s këtë javë në Bruksel, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes në Turqi.

Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje për kufirin e përbashkët detar. Këto dy vende i kanë rinisur kontaktet rreth mospajtimeve më herët gjatë këtij viti dhe Akar tha se ka zhvilluar një takim konstruktiv me homologun grek.

“Patëm bisedime pozitive, konstruktive me ministrin grek të Mbrojtjes. Presim që të shohim rezultate pozitive nga këto bisedime në periudhën e ardhshme”, tha Akar.

Të ngjashme