Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar koncept dokumentin për vettingun.
Por ky proces po kritikohet nga Bashkimi Evropian.
Një gjë e tillë është potencuar edhe në Raportin e Progresit për vitin 2021.
Në këtë dokument thuhet se vettingu duhet të vijë në pyetje vetëm pasi të shtjerrën të gjitha opsionet dhe maekanizmat tjerë për të siguruar integritet dhe luftë kundër korrupsionit.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se procesi duhet të vazhdojë pavarësisht se qeveria nuk ka arritur të bind partnerët ndërkombëtarë për domosdoshmërinë e këtij procesi.
“Qeveria nuk ka arritur t’i bind këta partnerë se ky proces i vettingut i filluar është i pa alternativë. Pra qeveria nuk ka arritur t’i bind të gjithë partnerët që janë palë të interesit se pa vetting nuk ka zgjidhje të problemit. Kjo duhet të jetë pika kryesore që duhet ta bëjë qeveria”, deklaroi për RTV Dukagjinin Leotrim Gashi nga IKD.
Ndryshe po mendon avokati Arbër Jashari. Ai pajtohet me pjesën e raportit ku thuhet se duhen shterur të gjitha mjetet para vettingut.
“Akoma nuk janë shterur të gjitha mjetet dhe mundësitë që kemi për të bërë një sistem gjyqësorë brenda infrastrukturës ligjore. Mendoj se vettingu është një proces jashtëzakonisht i madh që ka implikime të mëdha dhe kërkon kohë shumë të gjatë”, tha Arbër Gashi.
Për sistemin e drejtësisë në Kosovë raporti thekson se reformimi vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cenueshëm nga ndikimi politik. “Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por duhet shtuar përpjekjet për hetime më aktive, vendime përfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të pasurive të paligjshme”.