Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka marrë vendim për formimin e shtabit për raste emergjente për të menaxhuar situatën e krijuar pas reshjeve të dendura të borës që kanë përfshirë territorin e komunës, sikurse dhe gjithë vendin.
Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, të mbajtur të premten, është miratuar kërkesa e drejtorit për Shërbime Publike dhe Emergjenca, Burim Gërguri.
“Shtabi obligohet të përcjellë dhe ndërmarrë masa për menaxhimin e situatës së krijuar në tërë territorin e komunës. Sipas nevojë, Shtabi e njofton dhe kërkon ndihmë nga nivelet më të larta”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryetari Gashi.
Aktualisht, të gjitha rrugët në komunën e Obiliqit janë të kalueshme, kanë bërë të ditur për “Ekonomia Online” nga Zyra për Informim e Komunës së Obiliqit.
“Drejtoria për Shërbimet Publike dhe Emergjente ka angazhuar të gjithë stafin 24 orë dhe janë duke punuar që të gjitha rrugët në territorin i Komunës së Obiliqit të jenë të kalueshme për qarkullim. Deri më tani, zyrtarët në terren janë duke raportuar për gjendjen stabile në tërë territorin e komunës”.
Sidoqoftë, kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë sa është e mundur lëvizjet. “Pasi që të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik tregojnë për ulje të temperaturave ditëve në vijim, kërkojmë nga ju që të reduktoni qarkullimin dhe të bashkëpunoni me organet kompetente komunale që të tejkalojmë këto probleme të shkaktuar nga moti i ftohtë. Si Komunë do të bëjmë të pamundurën që t’i mbajmë të pastruara të gjitha rrugët komunale”, ka thënë Gashi.