Granit Elshani është dënuar me 24 vite burgim për akuzën se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh.
Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari, Elshani për veprën penale të vrasjes së rëndë është dënuar me 24 vite burgim, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm me 4 vite burgim dhe për armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim.
Më pas, ndaj të njëjtit duke u zbatuar dispozitat e Kodit të Përkohshëm Penal është shqiptuar dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Bajraktari bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, kjo lëndë është transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.
Ai kishte kërkuar transferimin e lëndës për shkak të mungesës së gjykatësve të krimeve të rënda në gjykatën që ai drejton dhe për shkak se gjyqtarët tjerë të cilët kanë mbetur, kanë bazë për përjashtim në gjykimin e këtij rasti.
Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar 25 vite burgim, Granit Elshanit.
Elshani ishte shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”.
Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të Granit Elshanit, avokatit Ndrecë Dodaj, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.
Pas kthimit të rastit në shkallë të parë, rigjykimi në këtë rast në Gjykatën e Pejës kishte zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, deri në ditën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur pasi që trupi gjykues i kryesuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, i cili ka dalë në pension, kishte vendosur që të rihapej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë Granit Elshani kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit B.Sh dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.
Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur B.Sh, i cili kishte qëlluar afër tij.
Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj.