Pas reth 17 orësh, kanë përfunduar përleshjet me armë zjarri ndërmjet Policisë së Kosovës dhe grupit kriminal serb në Banjskë të Zveçanit, raporton Ekonomia Online.
Policia e Kosovë ka rrethuar manastirin e Banjskës, ku po qëndronin pjesëtarët e këtij grupi, nga sulmet e të cilëve humbi jetën një polic dhe dy të tjerë mbetën të lënduar.
Ndërsa, nga ana e sulmuesve deri më tani është konfirmuar se tre prej tyre janë vrarë.
Edhe Dioqeza Rashkë-Prizren ka bërë të ditur se situata në Manastirin e Banjskës aktualisht është e qetë dhe se personat e armatosur janë larguar nga manastiri.
Dioqeza ka thënë se është vërejtur prania e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it para portave të hyrjes dhe në oborrin e manastirit.
“Në konviktin e manastirit ndodhen ende igumeni me vëllazërinë e tij, si dhe një grup besimtarësh nga Novi Sadi, mes të cilëve edhe dy të mitur. Drejtoria e Manastirit njofton se të gjithë janë mirë, se në kapelën e manastirit bëhen shërbesa të rregullta, me shpresë që kjo dramë të përfundojë sa më shpejtë”, thuhet në njoftimin e Dioqezës.
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka kërkuar nga Kosova që t’i lirojë pelegrinët e arrestuar.
Por në lidhje me këtë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pelegrinët po kontrollohen që të sigurohen që mos ndonjë sulmues është infiltruar.
”Pelegrinët po kontrollohen në mënyrë që të sigurohemi se se s’ka të infiltruar”, ka thënë Sveçla, raporton EO.