Pas rrëzimit të aeroplanit, aksionet e prodhuesit “Boeing” bien për 10 për qind

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Vlera e aksioneve të prodhuesit të aeroplanëve “Boeing” ka rënë për 10 për qind gjatë ditës së hënë pasi Kina, Indonezia dhe Etiopia morën vendim që të anulohen të gjitha fluturimet e parapara me aeroplanët e tipit “Boeing 737 Max 8” për shkak të aksidentit të dytë ajror brenda pesë muajsh me dy aeroplanë të këtij modeli.

Kjo është rënia më e madhe e vlerës së aksioneve të kësaj kompanie në dy dekadat e fundit, ndonëse vlera e tyre ishte trefishuar brenda pak më shumë se tre vjetësh për ta arritur çmimin rekord prej 446 dollarëve për aksion.

Një aeroplan i tipit “Boeing 737 Max 8”, i cili ishte në pronësi të kompanisë “Ethiopian Airlines”, u rrëzua pak minuta pas ngritjes në ajër në Addis Ababa të dielën, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë 157 personave që ndodheshin në të.

Një aeroplan tjetër i të njëjtit tip, i cili ishte në pronësi të kompanisë “Lion Air”, ishte rrëzuar në ujërat e Indonezisë në tetor të vitit të kaluar, duke shkaktuar 189 viktima.

Prodhuesi “Boeing” ka deklaruar se hetimet për rrëzimin e aeroplanit të kompanisë “Ethiopian Airlines” janë në fazën fillestare dhe se nuk ka nevojë të jepen udhëzime të reja për kompanitë tjera që i përdorin aeroplanët e këtij modeli, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme