Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Për këtë që më akuzoni ndjehem plotësisht i pafajshëm”, tha Konjufca.
Një deklarim të tillë, Konjufca e ka dhënë të martën në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Veprimi im ka qenë në atë kohë gati para 6 viteve plotësisht politik dhe konsideroj që për veprimin që e kam bërë e kam ndjerë veten të obliguar që ta bëj dhe kjo thirrje më ka ardhë edhe prej betimit që e kam bërë si deputet i Kosovës, me ç‘rast kur jam betuar kam deklaruar që me çdo kusht dhe me çdo mjet do ta mbroj sovranitetin dhe integritetin e Republikës se Kosovës”, shtoi ai gjatë deklarimit të tij rreth fajësisë.
Më pas, gjykatësja e rastit Edita Çanta e ka njoftuar Konjufcën me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqes kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Ndërsa, lidhur me kërkesat eventuale, gjykatësja Çanta deklaroi se do të vendos jashtë seance.
Po ashtu, palët u pajtuan që shqyrtimi i dytë për këtë çështje penale mos të mbahet.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 7 prill 2022 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj Glauk Konjufcës.