Florent Muslija e kishte vlerësuar si momentin më të mirë debutimin te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Më 7 shtator të vitit të kaluar, Muslija, futbollist i Hannoverit në Gjermani, debutoi në fitoren e Kosovës ndaj Republikës Çeke, 2:1, në Prishtinë. Ishte takim i rëndësishëm për kualifikim në Kampionatin Evropian, që është shtyrë për vitin tjetër, dhe Muslija luajti 34 minuta.
“Jam shumë i gëzuar për debutimin tim. Kemi dhënë maksimumin sot. Është ndeshja ime e parë, është moment që kurrë nuk do ta harroj”, kishte thënë Muslija pas fitores në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, transmeton KOHA.
45 minuta luajti edhe kundër Anglisë në po të njëjtën garë në Grupin A, dhe 45 minuta të tjerë i kaloi në fushë kundër Gjibraltarit në miqësore një muaj më vonë.
Por, që nga ajo kohë, Muslija nuk pati vazhdimësi të ndeshjeve me Hannoverin. Nuk luajti as me Kosovën për kohë të gjatë, ndonëse ishte i ftuar në disa ndeshje e në disa të tjera nuk u ftua fare.
Në tri ndeshjet e fundit të Kosovën, Muslija ka luajtur vetëm tetë minuta. Hyri në lojë në minutat e fundit kundër Sllovenisë në ndeshjen e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Ai takim u zhvillua më 11 tetor, ndërsa tri ditë më pas kundër Greqisë, nuk u inkuadrua fare.
Muslija, mesfushori ofensiv 22-vjeçar, mungoi edhe në duelin e plejofit të Ligës së Kombeve, kundër Maqedonisë së Veriut më 8 tetor në Shkup. Kosova e humbi atë ndeshje 2:1, dhe e humbi rastin për të shkuar në Evropianin që zhvillohet në verën e vitit të ardhshëm.
Në një intervistë të dhënë për Bild, Muslija foli ndër të tjera edhe për ëndrrën e shuar të Kosovës për Evropian.
“Një ëndërr është shuar, por ne kemi bërë gjëra të mëdha. Ne jemi një vend i vogël dhe e kishim mundësinë të kualifikohemi në Kampionatin Evropian. I kemi bërë njerëzit tanë krenarë. Shpresojmë që të mos jetë shansi i fundit”, ka thënë Muslija të premten për “Bild”.
Ai e arsyetoi mungesën te Kosova me mungesën e aktivizimit te Hannoveri.
“Nuk kam luajtur shumë në klub. Përzgjedhësi i Përfaqësueses e kishte vështirë të më shihte. Por kur trajnerët, si në klub ashtu edhe në ekipin përfaqësues të kenë nevojë për mua, unë do të jem aty”, nënvizoi Muslija.
Mungesa e Muslijajt në fushën e lojës ishte e dukshme edhe me skuadrën e tij, Hannoverin.
Në fundin e vitit të kaluar ka hasur në momente të vështira në karrierë. Madje, në xhiron e fundit të stinorit vjeshtor në vitin 2019 kundër Stuttgartit në barazimin 2:2 në Bundesliga 2, ishte aktivizuar në minutën e 73-të dhe ishte zëvendësuar në minutën e 86-të. Nuk u raportua për ndonjë lëndim apo shqetësim shëndetësor, por trajneri vendosi ta zëvendësojë reprezentuesin e Kosovës pasi ai nuk ishte i përkushtuar në fushën e lojës.
“Nuk ishte e lehtë për të marrë dënimin maksimal. Por, jeta vazhdon. Pas çdo vështirësie vjen përsëri lehtësimi. Si një lojtar i ri, duhet ta dimë se kohët mund të jenë të vështira. Por, kurrë nuk duhet të pushojmë së besuari në aftësi. Kam ardhur deri këtu dhe kam sakrifikuar shumë”, theksoi Muslija.
Edhe viti 2020 për të ishte i vështirë. Më 11 mars u infektua me koronavirus dhe i është dashur të izolohej. E vështirë për të ishte edhe nisja e edicionit të ri në Bundesliga 2.
Pesë minuta ishte inkuadruar në lojë më 14 shtator në rundin e parë të Kupës së Gjermanisë në fitoren në udhëtim te Wurzburger Kickers, 3:2. Nga një minutë luajti kundër Karlsruhes dhe Eintracht Braunschweigut, ndërsa nuk u inkuadrua kundër Osnabruchut dhe Paderbornit.
Por, të shtunën që shkoi, Muslija ishte në fushë për 80 minuta, kur skuadra e tij Hannoveri fitoi në shtëpi ndaj Fortuna Dusseldorfit, 3:0. Muslija ishte shënues i një goli shumë të bukur, që ishte i pari në atë duel. Ai realizoi në minutën e 57-të. Ishte goli i parë i tij në 14 muaj.
ai gol ia ka kthyer buzëqeshjen Muslijajt, që pritet të luajë titullar të dielën në udhëtim kundër Greuther Furthit.
“Ishte ndjenjë e shkëlqyeshme që isha në gjendje ta kurorëzoja paraqitjen time me gol. Gjë e mirë është që trajneri më ka dhënë besimin. Ishte një lojë e mirë. Duhet të qëndroj i përulur, të konfirmoj më tej se meritoj të luaj. Por, duhet bërë akoma më shumë, nuk duhet të jem i kënaqur”, ka thënë Muslija për “Bild”.
“Jam shumë i lumtur që shënuam fitore ku realizova gol edhe unë. E papërshkrueshme. Gjë e mirë ishte edhe se ishim në gjendje të festonim së bashku me tifozë”, shtoi ai.
Skuadra e Hannoverit ka shtatë humbje rresht në udhëtim. Megjithatë, pas trepikëshit të marrë të shtunën, Muslija thotë se ekipi është mirë, i zgjuar dhe i uritur për të arritur suksese të tjera.