Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur mbledhje urgjent pas shkarkimit të ministrit Agim Veliu, raporton Ekonomia Online.
Në seli është kreu i partisë Isa Mustafa, zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti e anëtarë tjerë të LDK-së. Mirëpo në seli nuk është parë të hyjë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.
Kurse Veliu ka thënë se nuk është i njoftuar rreth vendimit të Albin Kurtit për shkarkimin e tij.
“Paska ardhur komunikata te ju ma përpara. Jo nuk jam njoftuar. Qysh e keni pa ju e kam pa edhe unë. Nuk kam kurrfarë vendimi, kështu që nuk e di si me e komentu”, ka thënë Veliu për Kohën.
Sipas Veliut, kjo formë nuk është e duhura, pasi që “do të duhej të kishte një njoftim paraprak edhe koalicioni, në mënyrë që pastaj të procedohej me vendime të tilla”.
Veliu ka thënë se koalicioni qeverisës është edhe ashtu i rrezikuar.
“Arsyeja është që Kurti do të duhej të marrë vendime tjera që janë të duhura për vendin, dhe të guximshme, e jo vendime tinzare e të fshehta”.