Hakerët sulmuan infrastrukturën informative të Qeverisë së Malit të Zi nga një vend i panjohur gjatë natës, me qëllim që të kriptonin të dhënat e ruajtura në sistem. Lajmi raportohet nga mediat vendase.
Ekspertët pohojnë se nuk ia kanë dalë mbanë, ndonëse të dhënat paraprake tregojnë se këto janë sulmet më të sofistikuara që kanë ndodhur deri më tani në Mal të Zi.
“Mund të them me siguri se nuk ka të dhëna të koduara në ato sisteme qeveritare”, tha për Televizionin Vijesti Dushan Poloviq nga Drejtoria për Administratë Elektronike dhe Siguri Informative – MJU.
Në mes të muajit korrik të këtij viti, një sulm kiberneti mbylli përkohësisht shumë shërbime dixhitale të qeverisë shqiptare dhe faqe interneti.
‘Mandiant’ një prej kompanive kryesore amerikane që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike deklaroi se kjo sulmi mund të ketë qenë vepër e hakerëve pro-iranianë që synonin të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian në Shqipëri.
Konferenca e 23 dhe 24 korrikut nga grupi opozitar iranian Muxhahedeen-e-Khalq u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Rreth 3,000 disidentë iranianë të këtij grupi, që njihen kryesisht si MEK-ët, jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manzë, 30 kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.
Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp dhe mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë.
Një grup që e quan veten “Homeland Justice” mori përgjegjësinë lidhur me sulmin kibernetik, duke përdorur viruse që synojnë zhvatjen për qëllime përfitime financiar, por që po përdoret gjithnjë e më shumë për qëllime politike, veçanërisht nga Irani.
Pretendimi nga “HomeLand Justice” u bë në një kanal të aplikacionit Telegram, në të cilin u postuan dokumente që supozohej se ishin leje qëndrimi në Shqipëri të anëtarëve të MEK-ut, së bashku me pamje filmike që tregonin tek aktivizohej programi me virus. Kanali pretendonte për korrupsion në qeverinë shqiptare dhe përdorte hashtagë përfshirë #Manzë.