Pas Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit, republikanët shpresojnë të fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve

Prishtinë | 09 Nën 2024 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Partia Republikane po shkon drejt kontrollit të plotë të Kongresit amerikan, ndërsa i duhet të sigurojë fitoren e të paktën 6 vendeve të tjera në Dhomën e Përfaqësuesve për të marrë drejtimin e saj.

Dhoma e Përfaqësuesve ka 435 ligjvënës ndërsa deri më tani republikanët kanë siguruar 212 vende, kurse demokratët 200. Nëse konfirmohet një shumicë republikane kjo i siguron Presidentit të zgjedhur Donald Trump mundësi të lehta për të miratuar legjislacione që përfaqësojnë zotimet që ka bërë gjatë fushatës.

Republikanët tanimë e kanë siguruar shumicën në Senat duke fituar 53 vende nga 100 sa ka në tërësi.

E vetmja garë deri pasditen e së shtunës, ku nuk është përcaktuar ende fituesi, është ajo për senatorin që do të përfaqësojë Arizonën. Demokrati Ruben Gallego ka epërsi prej 1.1 % kundrejt republikanes Kari Lake./VOA

Të ngjashme