Besa Famgas ka mbyllur stinorin e rregullt në vend të parë, por për dallim nga edicionet e kaluara kur nuk kishte konkurrencë të madhe, këtë edicion e ka rivalizuar fuqishëm Kastrioti i Ferizajt. Madje Kastrioti e mposhti në gjysmëfinale të Kupës për t’i dhënë fund dominimit pesëvjeçar të Besës në këtë garë. Kastrioti më pas e mposhti Prishtinën në finale të Kupës, ndërsa tani është rival i Besës në finale të plejofit.
Ndeshja e parë e serisë finale të plejofit ndërmjet skuadrës pejane Besa Famgas dhe Kastriotit luhet të mërkurën (sonte, 20:30) në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Në fundjavë skuadrat takohen në Ferizaj, ndërsa ndeshja e tretë eventuale luhet prapë në Pejë, shkruan sot Koha Ditore.
Skuadra me dy fitore, apo një fitore e një barazim, shpallet kampione.
Besa e ka përfunduar stinorin e rregullt në vend të parë me 52 pikë, ndërsa Kastrioti në vend të dytë me 49 pikë. Në gjysmëfinale Besa lehtë eliminoi Vëllaznimin, ndërsa Kastrioti në dy ndeshje eliminoi Prishtinën.