Përmes një deklarate të përbashkët, Bashkimi Evropian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar në Samitin e Sofjes përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen evropiane të rajonit.
Pas strategjisë së zgjerimit të BE-së për Ballkanin të publikuar sivjet, deklarata e Sofjes ka nxjerrë si përfundim edhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e stabilitetit në rajon, si parakusht për integrimin e kësaj pjese të Evropës në kuadër të Bashkimit Evropian.
Në deklaratë, veç tjerash thuhet se “BE-ja mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”.
Në njërën nga 17 pikat e kësaj deklarate, theksohet po ashtu se shtimi i angazhimeve “në forcimin e rendit dhe ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në respektimin e të drejtave të minoritarëve dhe të njëri-tjetrit, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit”. Përkushtimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor, theksohet në deklaratë, është edhe dhe kërkesë e Bashkimit Evropian.
Kurse në pikën e 11-të, është kërkuar bashkëpunim i shtuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Në Samitin e BE-së për Ballkanin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë po marrin pjesë liderët nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Nikoqir i takimit, është kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili aktualisht mbanë edhe Presidencën e Këshillit.
Kurse nga Bashkimi Evropian po marrin pjesë Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kryesues i takimit, pastaj presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, Përfaqësuesja e Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Pjesë e këtij Samiti është edhe Kosova, që po përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi.