Ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Ekonomia Online.
Gjatë këtij takimi u nënshkrua një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë për rritjen frekuencës së fluturimeve mes dy vendeve.
Po ashtu Gërvalla u shpreh mirënjohëse ndaj Mevlüt Çavuşoğlu, për kontributin që dha shteti turk në fushën e Arsimit dhe shëndetësisë për Kosovë, duke treguar interesim të lartë lidhur me investimet direkte të shtetit turk në Kosovë
“Me ministrin biseduam edhe rreth angazhimit të Turqisë në mbështetjen e dhënë në fushën e Arsimit dhe dëshirojmë që ta zgjerojmë këtë bashkëpunim. Po ashtu i shpreha mirënjohje Qeverisë Turke për ndihmën në fushën e shëndetësisë, për dhënien e trajtimit pa pagesë të pacientëve nga Kosova dhe mundësinë e trajnimeve për punonjësit shëndetësor”.
“Shpreha gjithashtu interesimin në zgjerimin e thelluar të bashkëpunimit, krijimin e mundësive të investimeve direke turke në Kosovë dhe përdorimin maksimal të potencialit të ofruar në kuadër të marrëveshjes së tregtisë së lirë e cila hyri në fuqi në qershor të vitit 2019. Është për tu përshëndetur marrëveshja e cila u nënshkrua sot në lidhje me rritjen e numrit të fluturimeve mes Republikës së Kosovës dhe të Turqisë”.
Gërvalla shtoi se Turqia ka ofruar ndihmën e saj si ndërmjetësuese, pas agresionit rus në Ukrainë dhe se sipas saj, ndihmë ndërmjetësimi, ka ofruar edhe në Ballkan, siç tha ajo, ndërmjetësim neutral në mes të Serbisë edhe vendeve të tjera ballkanike.
“Është për tu përshëndetur marrëveshja e cila u nënshkrua sot në lidhje me rritjen e frekuencës të fluturimeve mes Republikës së Kosovës dhe të Turqisë. Republika e Kosovës e ka të qartë përcaktimin e saj për integrimin në të gjitha strukturat euroatlantike. Si një anëtare e fuqishme e NATO-së pas sulmit rus në Ukrainë Turqia ka ofruar përkrahjen si ndërmjetësuese dhe po ashtu është aktive në Ballkan si ndërmjetësuese neutrale mes Serbisë dhe të tjerëve. Kosova ka qëndrim të qartë me Rusinë dhe Serbinë jo vetëm si faktorë agresiv por edhe destabilizua për të gjithë rajonin ton”.
“Shpresoj që përpjekjet për ndërmjetësim të NATO-së, BE-së por edhe të Turqisë që Serbisë dhe separatistëve serb në Bosnjë dhe Hercegovinë të u pamundësohet që nën hijen e agresionit rus në Ukrainë dhe me ndihmën e Rusisë të destabilizojnë Ballkanin perëndimor dhe Evropën”, tha Gërvalla.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se shteti turk e përkrah Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.
“E mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës si dhe zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës e integrimin e saj në organizata ndërkombëtare. E mbështesim anëtarësimin e Kosovës në instanca si organizata euroatlantike. Marrëveshja e tregtisë së lirë që kemi nënshkruar dy vendet ka sjellë sukses. Shihet rritje të eksportit të Turqisë për në Kosovë, por po ashtu ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Turqi. Ka pasur qarqe të cilave u ka penguar kjo”, tha ministri i Jashtëm turk pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Sa i përket organizatës së Fethullah Gulenit, të njohur si FETO, ai ka thënë se shihet prania e saj në Kosovë dhe se kjo është pengesë.
“Natyrisht ekzistenca e FETO-s në Kosovë është pengesa më e madhe e raporteve mes vendeve tona. Ekzistenca e FETO-s po bën punë për të helmuar raportet tona. Strategjinë e ngjashme që e ka zbatuar në vendin tonë, po e zbaton në Kosovë. Po e vështrojmë këtë. Me një anë tentojnë të helmojnë të rinjtë, dhe investojnë në media, e në anën tjetër shohin të infiltrohen në institucione shtetërore. Është shqetësuese për ne. Mos i merrni parasysh fjalët e vendeve tjera që ju thonë mbështesni ata”, tha Cavusoglu.