Kampioni i Europës në kërcim së gjati në salla të mbyllura, Izmir Smajlaj, u kthye në atdhe pas triumfit në Kampionatin Evropian në Serbi. Në aeroportin e Rinasit, ai është pritur vetëm nga familjarët dhe miqtë.
Atleti 23-vjeçar nuk e fshehu emocionin për këtë sukses dhe deklaroi se ia dedikon medaljen e artë të gjithë shqiptarëve.
“Jam shumë i emocionuar. Kjo medalje i shkon të gjithë shqiptarëve, të gjithë mbështetësve të mi, familjarëve dhe shokëve të mi. Ishte një garë e fortë. Unë realizova në kërcim të fundit. Kisha familjen aty, shokët, më dhanë kurajë dhe ja arrita”, u shpreh kampioni shqiptar.
Në muajin gusht në Londër do të zhvillohet kampionati Botëror i Atletikës dhe Smajlaj deklaron se do të tentojë zonën e medaljeve.
“Kampionati Botëror është në muajin gusht dhe të premtoj që tani është herët dhe nuk jemi politikan të premtojmë, por shprehim objektivat tona dhe unë synoj të arrij në zonën e medaljeve”, thotë Smajlaj.
Në Ballkaniadën dhe Europianin të zhvilluar në Beograd, Smajlaj i fitoi medaljet e arta duke vendosur dhe 2 rekorde kombëtare fillimisht me 7.98 m dhe më pas me 8.08 m.