Besim Aliu, drejtor në institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), ka thënë se nuk ka rrezik që në Kosovë të ketë vërshime, për shkak të reshjeve të shiut.
Ai ka thënë se reshjet e djeshme të shiut kanë prekur më shumë Gjilanin dhe Kamenicën, por jo edhe vendet e tjera.
“Dje në gjithë territorin e Kosovës kishim vranësira të denduara që u shoqëruan me reshje shiu. Reshjet e shiut ranë më së shumti në Gjilan. Nuk ka qenë në sasi të madhe por në interval të shkurtër kohorë dhe ka shkaktuar dëme. Edhe në Kamenicë ka pasur reshje të mëdha. Këto reshje kanë ardhur nga Presheva dhe me gjerë”, deklaroi ai në T7.
Aliu theksoi se nesër në Kosovë nuk do të ketë reshe shiu, teksa paralajmëroi se nga e diela do të ketë sërish reshje.
Sipas tij më së shumti reshje do të ketë në rajonin e Dukagjinit.
“Nesër do të kemi mot stabil dhe pa reshje. Gjatë ditës së diell parashihet sërish një front me vranësia të dendura. Do të ketë edhe reshje. Në fushën e Kosovës më pak teksa në Dukagjin do të ketë më shumë reshje. Do të kemi reshje të cilat do të jenë të intensitetit jo të lartë. Mund të ketë sasi të mëdha por në intervale të shkurta kohore. Temperaturat kanë krijuar kushte që të kemi avullime të mëdha dhe të krijohen këto shkarkime”, ka thënë Aliu.