Si pasojë e vërshimeve, dy lokalitete në Lipjan tash e 4 ditë janë pa ujë të pijshëm

Lipjan | 13 Jan 2021 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Banorët e fshatit Grackë e Vjetër dhe Jeta e Re në Lipjan, prej katër ditësh kanë mbetur pa ujë të pijshëm, derisa vërshimet kanë dëmtuar gypin e ujësjellësit.

Banorët po kërkojnë nga komuna dhe kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ta riparojnë me urgjencë defektin e shkaktuar.

Ndërkaq, zyrtarët e KRU “Prishtina” në Lipjan kanë thënë se kompanitë të cilat kanë rregulluar shtratin e lumit Sitnica nuk e kanë mbuluar gypin e ujësjellësit.

Ilmi Bublica, drejtor i kësaj kompanie, ka thënë për KOHËN se ky defekt i cili është shkaktuar katër ditë më parë nuk mund të rregullohet derisa të bije niveli i ujit në lumin Sitnica.

“Sot bëhen katër ditë që fshati Grackë e Vjetër dhe Jeta e Re kanë mbetur pa ujë. Gypi kryesor që furnizon këto dy lokalitete, i cili kalon përgjatë lumit Sitnica është dëmtuar shkaku i vërshimeve apo rritjes së nivelit të ujit në lumin Sitnica sepse kompanitë gjatë ndërtimit të shtratit të lumit nuk e kanë trajtuar gypin e ujësjellësit. Pra gjatë punimeve gypin nuk e kanë mbuluar me zhavorr asnjëherë dhe tash nuk kemi mundësi ta rregullojmë derisa të bije niveli i ujit të lumit”, ka thënë Bublica.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të cilët i kanë rezervarët e tyre ta thërrasin kompaninë për t’ia mbushur ato me cisterna.

“Nëse qytetarët kanë nevojë për ujë, atëherë kërkojmë prej tyre të telefonojnë sepse ne i kemi në dispozicion kamionët me cisterna për t’i furnizuar ata në çfarëdo mënyre derisa të rregullohet defekti”, ka thënë Bublica.

Ali Stublla, banor në lokalitetin “Jeta e Re” ka thënë se prej 4 ditësh rreth 200 familje kanë mbetur pa ujë të pijshëm, ndërkaq organet kompetente nuk po angazhohen rreth kësaj çështje, sipas tij.

“Punimet jocilësore në shtratin e lumit janë shkaktari kryesor që tash kemi mbetur pa ujë. Gjatë punimeve është dashur që gypi kryesor i ujësjellësit ta ketë një mbrojtje të veçantë, e jo të mbetet i hapur. Sidoqoftë ne si banorë jemi të shqetësuar dhe kërkojmë të riparohet sa më shpejt sepse jemi taksapagues të faturave të ujit. Ndërkaq komuna duhet ta ndëshkoi kompaninë e cila ka kryer punime jocilësore”, ka thënë Stublla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme