Ismaili: TIPS-K shënon hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemit të pagesave në Kosovë

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të lansimit dhe prezantimit të platformës TIPS Clone, të organizuar nga Banka e Italisë në Palazzo Koch, në Romë.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe guvernatorët e bankave qendrore të pesë vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor.

Përmes një postimi, Ismaili ka vlerësuar se ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës së pagesave në rajon, duke mundësuar realizimin e pagesave të menjëhershme dhe ndërlidhjen e sistemeve financiare me infrastrukturën evropiane të pagesave.

Sa i përket Kosovës, ky projekt po zbatohet përmes Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), implementimi gradual i të cilit ka nisur sipas planit të përcaktuar nga BQK-ja.

Sipas guvernatorit Ismaili, realizimi me sukses i transfereve të para të menjëhershme shënon një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të shërbimeve të reja për qytetarët dhe bizneset, duke mundësuar transfere në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe 365 ditë në vit.

Ai ka theksuar se përfitimet nga ky sistem shkojnë përtej modernizimit teknologjik, pasi pritet të ndikojnë në rritjen e efikasitetit të transaksioneve, përshpejtimin e qarkullimit të mjeteve financiare dhe zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike.

Ismaili ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin me Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane, Bankën Botërore dhe institucionet e tjera partnere, si dhe kontributin e bankave komerciale dhe ekipeve profesionale në realizimin e projektit.

Në përfundim, guvernatori ka theksuar se funksionalizimi i TIPS-K përfaqëson një hap konkret në transformimin e sistemit të pagesave në Kosovë dhe në avancimin e integrimit financiar evropian, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e vendit.

Të ngjashme