Të martën e javës së kaluar, më 3 prill ka përfunduar afati për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik. Por, ndonëse janë bërë më shumë se një javë, Agjencia Kundër Korrupsion nuk ka publikuar akoma të dhënat e zyrtarëve në faqen zyrtare.
Ishte paralajmëruar se publikimi do të bëhej të premten, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli në një prononcim për Indeksonline ka treguar se kur do të publikohen të gjitha raportet e pasurisë.
“Të enjten kah fundi i orarit po shpresojmë me i publiku”, ka thënë shkurt Havolli.
Ditë më parë ai kishte thënë se procesi po vonon pasi që po analizohen edhe formularët e dërguar me postë dhe përmes e-mailit.
Kujtojmë se deklarimit të pasurisë i janë nënshtruar të gjithë zyrtarët e lartë publik, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.
Mos deklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal.