Raporti mbi popullsinë në rrezik pa shtetësie, i cili u prezantua sot, konstaton se 53 për qind e personave të prekur nga problemi i pashtetësisë janë të lindur jashtë vendit, gjysma e të cilëve fëmijë.
Në aktivitetin e organizuar nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe Shoqata e Ndihmës Ligjore Tiranë (TLAS), në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe INSTAT, u prezantua Raporti “Hartëzimi i popullsisë në rrezik të pashtetësisë në Shqipëri”.
Në vitin 2017, Zyra e UNHCR në Shqipëri dhe TLAS ndërmorën iniciativën për të koordinuar përpjekjet me Qeverinë Shqiptare për të përmirësuar identifikimin e personave në rrezik të pashtetësisë në Shqipëri, raporton ATSH.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko theksoi se, “Pashtetësia” është një term jo shumë familjar për publikun shqiptar.
“Shqipëria në fushën e migracionit dhe diasporës është përballë një fushe të pa eksploruar ku duhet të përballemi edhe me problematika të fshehura nga sytë e publikut siç është “pashtetësia”, tha Majko duke shtuar se, “Neni 15 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të 1948, i jep çdo individi, kudo në botë, të drejtën për të patur një lidhje ligjore me një shtet. Qytetaria dhe shtetësia janë enë komunikuese dhe ju siguron njerëzve një ndjenjë identiteti dhe u mundëson individëve mbrojtjen nga një shtet dhe gëzimin e shumë të drejtave civile dhe politike”.
“Pashtetësia është një “mallkim juridik” për individin. Pashtetësia nuk është veç ndjenjë e dhimbjes njerëzore. Ajo mund të vijë nga një numër shkaqesh, përfshi konfliktin e ligjeve, transferimin e territorit, ligjet për martesën, praktikat administrative, diskriminimin, mungesën e regjistrimit të lindjes, denacionalizim (kur një shtet i heq shtetësinë një individi) dhe heqja dorë (kur një individ refuzon mbrojtjen nga një shtet)”, tha Majko.
Por shtoi ministri “ne kemi një administratë e cila është ende e pamësuar me trajtimin e shtetasve jashtë vendit si një pjesë e të së tërës. Në raportet me diasporën, e panjohura është po aq edhe urgjencë për zgjidhje. Kjo situatë detyron të nxitojmë të shplurosim çdo shqetësim apo problematikë të cilin deri më sot e kishim shpërfillur në raftet e harresës, duke i adresuar ato mbi bazën e një kornize të fortë ligjore e cila po krijohet me kujdes”.
“Të dhënat e nxjerra nga autorët e raporti, ishin për ne si një zile që na kujtoi një takim të papritur, atë me “mallkimin” e pa shtetësisë. Procedurat e ndërlikuara, mos dituria dhe problemet teknike, nuk mund dhe nuk duhet të justifikojnë këtë të keqe të fjetur për shumë kohë. Shtetësia është e drejtë themelore, nga e cila burojnë të gjitha të drejtat e tjera.
Eshtë e dhimbshme, nënvizoi Majko, “që rastet kryesore të pa shtetësisë kanë të bëjnë me fëmijë të lindur nga prindër shqiptarë jashtë vendit, të cilët për arsye të ndryshme janë detyruar të kthehen në atdhe. Pasaktësitë në të dhënat e identitetit që shumë emigrantë kanë ofruar në vendet pritëse, mungesa e sigurive në legjislacionet përkatëse për parandalimin e këtij fenomeni dhe procedurat e papërshtatshme, kanë formësuar këtë rrezik të ri, i cili nuk është më dhe aq i izoluar”.
“Kjo që po diskutojmë sot është një rrezik që kërkon mobilizim ndërinstitucional, bashkëpunim dhe koordinim jo vetëm mes ministrive e agjencive të ndryshme shtetërore dhe shoqërisë civile, por edhe marrëveshje ndërshtetërore me ato vende ku rasti i shqiptarëve pa shtetësi është më i theksuar”, theksoi Majko.
Ai shtoi se, “është përgjegjësi e institucioneve shqiptare të sigurojë që të gjitha detyrimet ndërkombëtare dhe rajonale në lidhje me të drejtën e shtetësisë, të jenë plotësisht të përfshira në ligjin vendas dhe të zbatohen në praktikë.
“Shpresoj që diskutimi i sotëm të hapë siparin e një vlerësimi kombëtar masash dhe iniciativash të cilat do të shërbejnë për gjetjen e zgjidhjeve ndaj këtij problemi. Për të gjetur zgjidhje sa më efikase çështja duhet adresuar që në gjenezë. Eshtë shumë i rëndësishëm identifikimi dhe mbledhja e të dhënave të sakta mbi kategoritë të cilat e kanë të pamundur sigurimin e shtetësisë. Bashkëpunimi i ngushtë me konsullatat tona jashtë vendit në këtë aspekt, do të shërbejë si një faktor lehtësues. Një rol thelbësor kanë zyrat e gjendjes civile, të cilat mendoj se mund të mbajnë një regjistër me të gjitha rastet e këtij lloji duke ia raportuar ato më pas autoriteteve përgjegjëse”, tha Majko.
““Pashtetësia” e shqiptarëve i bën ata jetimët e shtetit të vet. Ata janë një shembull i paaftësisë dhe mungesës sonë kolektive. Njerzit tanë nuk kanë dëshirë të dëgjojnë autokritikat. Ata presin zgjidhjet. Kjo është përgjigja më e mirë. Padyshim”, tha Majko.
Ministri Majko vlerësoi firmosjen e Memorandumit për veprim të përbashkët në çështjen e eliminimit të pashtetësisë.