Pasi e arriti formën jetësore, Edon Zhegrovës i rritet vlera në treg

Prishtinë | 19 Dhj 2023 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Edon Zhegrova është duke e kaluar një formë fantastike këtë sezon.

Ylli kosovar është bërë një titullar i padiskutueshëm tek Lille, ndërsa kapakun formës së jashtëzakonshme ia vendosi në ndeshje me Paris Saint-Germainin në fundjavën që e lamë pas, kur ishte i pandalshëm për futbollistët parisienë në barazimin 1:1.

24 vjeçari në fakt i ka zhvilluar 15 ndeshje në këtë edicion në Ligue 1, në pjesën dërrmuese të tyre si titullar, me një total prej 1.075 minutash lojë.

Përfaqësuesi kosovar e ka realizuar një gol dhe i ka bërë katër asistime deri tash në kampionatin francez në sezonin 2023/24.

E kjo formë optimale e “Messit kosovar” ka bërë që edhe vlera e tij në treg të rritet.

Dje, sajti i specializuar për vlerat e futbollistëve e ka bërë një “update” të vlerës së kartonit të futbollistit ofanziv.

Herën e fundit, më saktësisht më 27 qershor, kartoni i Zhegrovës ishte rritur në 8 milionë euro.

Ndërsa tash, sajti gjerman e rriti për dy milionë vlerën e kartonit të ish-futbollistit të Baselit, i cili tash vlen 10 milionë euro.

Futbollisti anësor ka luajtur edhe në Ligën e Konferencës në këtë edicion, ndërsa i ka zhvilluar 6 ndeshje dhe e ka shënuar një gol dhe e ka bërë një asistim.

Ndër të tjera, i pati edhe dy paraqitje në kualifikimet e Ligës së Evropës, ku i zhvilloi dy ndeshje dhe e shënoi një gol.

Në total, Zhegrova në këtë edicion i ka shënuar 3 gola dhe i ka bërë 5 asistime.

Zhegrova i ishte bashkuar Lillet në janar të vitit 2022 pas një aventure tek Baseli, ndërsa shuma e transferit ishte 7 milionë euro.

Ai në fillim hasi në vështirësi për t’u ambientuar në ekipin francez, por tash është bërë lojtar i rëndësishëm aty.

Ish-futbollisti i Prishtinës ka kontratë me Lillen deri në verën e vitit 2026, por nuk përjashtohet mundësia që ai të largohet nga Franca për një ekip më të madh evropian gjatë verës së ardhshme.

Në vitet e fundit emri i tij është lidhur me emra të klubeve të njohura si Arsenal apo edhe Milan, por deri tash nuk kishte diçka konkrete në këtë drejtim.

Të ngjashme