Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias nesër do të takohet me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një komunikatë të ministrisë greke, thuhet se Dendias do ta takojë Lajçakun në fund të agjendës së tij të nesërme në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, ku kryediplomati grek do të marrë pjesë.
Takimi i Dendias me Lajçakun vjen pas vizitës së kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvalla në Athinë, nga ku tha se njohja e Kosovës nga Greqia do të përbënte një hap historik.
Greqia së fundmi ka pasur qasjen më konstruktive ndaj Kosovës, krahasuar me 4 vendet e tjera brenda BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.