Këshilli Ekonomik Social (KES) është pothuajse pasiv. Që nga viti i kaluar ky Këshill nuk ka mbajtur asnjë takim. E, për këtë po fajësohet ndërrimi i qeverive, raporton Ekonomia Online.
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha për Ekonomia Online, se është e papranueshme mosfunksionimi i KES, sipas tij ka rëndësi të madhe për dialogun social në vend.
Ai në një përgjigje përmes telefonit për Ekonomia Online, tha se në bazë të rregullores ky Këshill është i obliguar të mbajë takime një herë në muaj.
“Në fakt Këshilli Ekonomiko Social është për promovimin e dialogut social, që Qeveria e tanishme respektivisht ministria, duhet të vazhdojë punën në këtë mekanizëm, siç e dini KES është trepanit dhe përbëhet nga 15 anëtarë, 5 nga qeveria, 5 nga sindikata, 5 nga odat që mbrojnë interesat e bizneseve. Dialogu ka një rëndësi të veçantë, mos funksionalizimi i këtij mekanizmit do të thotë mos dëgjim i halleve të punëtorëve dhe të bizneseve. Ju e dini që e kam drejtuar këtë mekanizëm kur kam qenë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, edhe kur e kam marr detyrën ky mekanizëm nuk ka qenë mjaft funksional, pastaj filluam aktivizimin e këtij mekanizmit. Për mu është e papranueshme mos funksionalizimi i KES qe e ka një rëndësi të veçantë në promovimin dialogut social”.
“Në fakt në bazë të rregullores, nuk them që i kemi mbajt çdo muaj por jemi përpjekur që kur ka pas nevojë të mbahen më shpejt dhe ta mbajmë ritmin e një herë një muaj. E rëndësishme është që në këtë situatë punëdhënësit dhe punëmarrësit në situatën që ndodhemi me pandemi, është ashtu të kenë hapësirë për paraqitjen e ankesave”.
Ndërsa, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe anëtar në Këshill, Atdhe Hykolli, tha se ndërrimi i qeverive ka ndikuar në mosmbajtjen e takimeve.
Ai tha se takimi i fundit është mbajtur diku në janar të vitit 2020.
“Njëra ndër problemet më të mëdha që i kemi në rënien e interesimit për punë është edhe mos mbajtja e takimeve të Këshillit Ekonomik Social. KES e përmban trinitetin që e bëjnë Qeveria, punëtorët dhe bizneset. KES ka një kohë të gjatë që nuk është takuar fare dhe ne i kemi bërë shumë herë Qeverisë së Kosovës që sa më shpejt të takohemi. Është një diçka e keqe për arsyeje se ndërrimi i shpejt i qeverive ka ndikuar shumë që ne mos të mblidhemi. Po të kishim takime të rregullta të Qeverisë së Kosovës me Këshillin Ekonomik Social atëherë dhe dinjiteti i punëtorëve do të ishte më i mirë se që e kemi, pasi këtu negociohet paga minimale siç e dimë, nuk është negocio qysh nga viti 2011 dhe është shumë diskriminuese prej 30 është 180 euro, ndërsa nën moshë 30 vjeçare është 120 euro, ne e kemi negocio me partnerët tanë social edhe e kemi votuar që paga minimale të jetë 300 mirëpo ende nuk është realizua. Qeveria po e proklamon një pagë 250 euro, është mirë që ta fus sa ma shpejt në funksion. Mandej këtu me KES kemi diskutua edhe për kontratën kolektive, mirëpo me ndërrimin e qeverive nuk kemi arrit ta votojmë”.
“Takimi i fundit i KES është mbajt dikur janar të vitit 2020, edhe që nga atëherë nuk jemi takuar që ta diskutojmë as pagën minimale e as kontratën kolektive”.
Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat (SPSP), Jusuf Azemi, tha për Ekonomia Online, se pasiviteti i KES ka bërë që çështjet si rritja e pagës minimale dhe kontrata kolektive të mbesin pezull.
“Sa përket Këshillit Ekonomik Social ne kemi qenë aktiv si anëtarë i një komisionit profesional ku i kemi bërë parametrat se sa do të kushtojë një marrëveshje kolektive. Mekanizmat e shtetit për të cilën na e dimë më shumë se dy vjet nuk kemi marrëveshje kolektive; dhe Këshilli Ekonomik Social që nga viti 2018 pothuajse nuk ka qenë aktiv fare, kanë mbajtur një takim sa për sy e faqe dhe në këto takime nuk është marrë asnjë vendim, vet fakti kur Këshilli Social nuk ka ndryshuar paga minimale, bën me dije se ky Këshill ka krijuar shpenzime për nevoja të veta dhe nuk ka asnjë efekt pozitivë”.
“Është neglizhencë që e ka neglizhua Qeveria e Kosovës, pasi është pjesëmarrëse me katër ministra aty, është edhe neglizhencë oda e punëdhënësve, Aleanca e Biznesit dhe Oda Ekonomike. Mund të themi se kjo gjendje u konvenon kompanive dhe një farë forma është sindikata e punëtorëve, nuk kanë qenë këmbëngulës që ajo të aktivizohet të jetë aktive”
Ky Këshill po ashtu është karakterizuar me mungesë të transparencës. Gersi Gashi, drejtor i hulumtimit dhe zhvillimit te Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), tha se është e vështirë të bisedohet për efektivitetin e takimeve të KES për shkak të mos transparencës me publikun.
Mirëpo, ai thotë se që nga themelimi Këshilli nuk ka sjell rezultate konkrete.
“Që nga themelimi nuk shifrën e saktë por të paktën e dimë që në dy vitet e fundit janë takuar në bazë të informatave jo zyrtare, sepse KES nuk i publikon shumicën e takimeve kanë qenë maksimumi për dy vjet e fundit”.
Edhe Gashi thotë se mosmbajtja e takimeve nuk është tërësisht faji i Këshillit, por ka pasur edhe elemente të tjera që kanë ndikuar në pasivizimin e tyre.
“Përtej plan programit KES që funksionon në bazë të Ligjit për Këshillin Ekonomik Social, e ka të paraparë me u taku të paktën 1 herë në muaj, kështu që deri tash është dashtë me taku për dy vjet 24 herë, ndërsa janë realizuar vetëm dy takime. Gjithsesi nuk është krejtësisht faji i Këshillit për shkak të pandemisë, formimit të qeverive, sepse varen pasi edhe ministrat janë anëtarë të Këshillit. Gjithsesi pasiviteti i tyre nuk është shumë i justifikueshëm kaq masë të madhe”.
“Prapë është vështirë me tregu për efektivitetin e Këshillit për dikë që nuk është brenda në takimet e tyre, për arsyeje për shkak se njëra prej problemeve të Këshillit është që nuk janë transparent në këtë aspekt. Nuk ka raport që përpilohet dhe pastaj plasohet në publik se çka është diskutua dhe çka është marr si vendim ose çka është marr si këshill, kështu e kemi të pamundur me pa efektivitetin e tyre takim për takim. Por që nga themelimit Këshilli ka qenë krenar që në vitin 2014 arrihet një konsensus për kontratën kolektive, e cila më pas pezullohet, kështu që është një sukses që janë dakordu po të njëjtën nuk ka pasë ndonjë efekt. Po ashtu, KES e ka për detyrën rekomandimin për pagë minimale, ndërsa paga minimale nuk ka ndryshua. Këshilli ka rekomanduar në vitin 2014, por nuk është marr parasysh kjo”.