Armend Zemaj, në emër të grupit parlamentar të LDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se seanca për dialogun me Serbinë do të mbahet të mërkurën në orën 10:00, derisa ftoi të gjitha grupet parlamentare të jenë pjesë e këtij debati.
“Në emër të inicuesit për kërkesën e jashtëzakonshme që ka të bëjë me debatin parlamentar dhe angazhimin e presidentit në dialogun me Serbinë, LDK-ja kërkoi që seanca të mbahet më 31. E kemi bërë këtë zhvendosje që t’i japim hapësirë edhe seancave të rregullta. Ftojmë të gjitha grupet politike të bëhen pjesë e këtij debati dhe të japin mendimet e tyre për rezolutë. Seanca është në ora 10:00, shpresojmë se këtë radhë nuk do të ketë sabotim”.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, tha se kjo parti ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme, raporton EO.
“U vendos që më 31 tetor të mbahet seanca e jashtëzakonshme dhe po atë ditë vazhdon edhe seanca e rregullt”.
Ai tha se do të kthehet në parti për t’u dakorduar për pjesëmarrje.