Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave “Pastrimi”, ka njoftuar të gjithë klientët e saj se afati i fundit për pagesën e faturave të mbeturinave është 1 prilli 2025.
Tutje, kjo kompani ka theksuar se të gjithë ata që nuk kryejnë obligimet e pagesës do të procedohen te përmbaruesi privat.
“Për të shmangur procedurën e Përmbaruesit Privat dhe kostot shtesë, KRM ‘Pastrimi’ i inkurajon klientët të kryejnë pagesat e mbetura brenda këtij afati”, thuhet në njoftim.
Mënyrat për të realizuar pagesën janë të lehta dhe të përshtatshme për të gjithë: Platforma eKosova, me letërnjoftim për amvisëri dhe numër biznesi për biznese, zyrat e pagesës në të gjitha njësitë operative të KRM “Pastrimi”, inkasantët në terren që janë të disponueshëm për t’ju asistuar.
Për klientët që kanë borxhe të akumuluara, KRM “Pastrimi” ofron mundësinë e riprogramimit të borxhit deri në 12 muaj.
KRM “Pastrimi” bën thirrje që të kryhen pagesat e faturave për të shmangur pagesat shtesë dhe për të ruajtur shërbimin e rregullt të menaxhimit të mbeturinave.