Në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” të organizuar nga Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor dhe organizata Let’s Do It Kosova, kanë vazhduar edhe sot aktivitetet në komunën e Prishtinës.
Shkolla Model në Prishtinë ishte ajo e cila sot iu bashkua këtij aktiviteti.
Drejtori i kësaj shkolle, Liridon Shabani, tha se ky aktivitet ndihmon në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve si dhe sensibilizon të gjithë ata që duan një mjedis të pastër, raporton Ekonomia Online.
” Jemi së bashku me zyrtarët e organizatës Let’s Do It Kosova, së bashku me kampanjën e organizuar nga Let’s Do It Kosova. Kjo kampanjë është duke luajtur një rol të rëndësishëm për sensibilizimin e masës për ruajtjen e ambientit. Besojmë që pas kësaj kampanje do na vie një mjedis më i pastër dhe do të kemi një ajër, më të pastër”, tha Shabani.
Besnik Shabiu, nga Let’s Do It Kosova, tha se është kënaqësi që aktivitetin e organizatës së tyre po e zgjerojnë në arsim.
“E falënderoj drejtorin e shkollës “Model”, i cili bashkë me nxënësit dhe stafin po e jep një model të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, se si secili prej nesh mund të kujdeset për mjedisin. Është për t’u përshëndetur ky mobilizim i nxënësve të shkollës “Model“ sot të cilët po japin një mesazh të mirë për të gjithë neve”, tha Shabiu.
Këtë aksion e mirëpritën edhe nxënësit.
Një nxënëse e klasës së nëntë nga shkolla Model, iu bëri thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të saj që të bashkohen në aksione të tilla.
“Këtu kemi dalë që ta pastrojmë ambientin e kësaj rrethine rreth shkollës dhe sipas aktivitetit po mundohemi ta pastrojmë vendin tonë. Unë si nxënëse e klasës së nëntë e mirëpres këtë aktivitet, pasi që kjo po bëhet në të mirë të vendit tim”, tha Elsa Olloshi.
Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” do vazhdoj deri më datën 15 dhjetor të këtij viti.