Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, është organizuar aksioni i pastrimit në Gadime të Lipjanit nga “Let’s do It Kosova”.
Aty janë pastruar gjashtë deponi ilegale të mbeturinave dhe shtrati i lumit. Aksioni ka nisur te shpella e Gadimes, raporton EkonomiaOnline.
Luan Hasanaj nga organizata “Let’s Do It Kosova” tha se fshati i Gadimes është njëri nga imazhet më të mira që ka Kosova dhe për këtë arsye duhet të mirëmbahet dhe të jetë sa më i pastër.
“Jemi në Gadime në një nga lokacionet që është atraksion turistik për të gjithë Kosovën që na bën të mburremi të gjithë, por për fatin e keq jo në gjendjen më të mirë sa i përket pastërtisë. Ne kemi ardhur këtu bashkë ta pastrojmë këtë hapësirë dhe të diskutojmë bashkërisht me përfaqësuesit e komunës dhe fshatit për hapat e mëtutjeshëm që këto hapësira të mirëmbahen dhe kur të vijmë në Gadime dhe vende tjera të Kosovës ta gjejmë pastër sepse vendet si Gadimja janë imazhi i Kosovës dhe imazhi i Kosovës nuk guxon të jetë imazh i papastër, kjo po bëhet në atë se ne i mirëmbajmë mirë pronat private dhe jemi popull i pastër dhe duhet si ta konsiderojmë pronën private ashtu të jetë edhe prona publike”, tha Hasanaj, raporton EO.
“Unë nga këtu dua të ftoj banorët që të na ndihmojnë neve dhe bashkërisht të angazhohemi të gjithë, e di që nuk është e lehtë, është sfidë sepse krijimi i kulturës për mirëmbajtje të pronës publike është tranzicion që kanë kaluar shumë shtete të Bashkimit Evropian ku ne synojmë të integrohemi, por është e mundur kur ne bëhemi bashkë të gjithë shoqëria civile, media, komuniteti jam i sigurt që ky angazhim si sot nuk do të ketë më operacione të tilla”, tha Hasanaj.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se fshati i Gadimes si një nga vendbanimet më të mëdha në Kosovë duhet të jetë sa më i pastër dhe të ngrish vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e ambientit.
“Gadimja është një ndër vendbanimet më të mëdha në Lipjan dhe gjithë Kosovën, ky aksion shkon në vazhdën e aksioneve të rëndësishme për të ngritur vetëdijen e qytetarëve për me ruajt ambientin dhe jep efekt ka impakt të jashtëzakonshëm në vetëdijesimin e qytetarëve që sa më shumë me mbrojt ambientin,”, tha Ahmeti.
“Veprimet tona konkrete kanë qenë në krijimin e ambient më të mirë dhe të hapësirave publike për qytetarët e Gadimes, do vazhdojnë investimet në këtë fshat dhe jemi në fund të kontratës për të pajisur çdo familje më kontinjer, me shporta të mbeturinave dhe pastaj do merren vendime tjera konkrete ligjore në dobi të ruajtjes së ambientit”, tha ai.
“Ftoj qytetarët e gjithë Kosovës të jemi më të kujdesshëm dhe të provojmë me ruajt ambientin dhe këtë ambient duhet ta ruajmë vetëm ne dhe askush tjetër”, shtoi Ahmeti.
Rajmonda Thaçi, studente e ekologjisë dhe aktiviste e “Let’s Do It Kosova” tha se të rinjtë kosovarë duhet të jenë shembull i simbolit për një ambient të pastër dhe duhet të i kushtojmë më shumë vëmendje çështjes së ambientit.
“Vetë fakti që studioj lëndën e ekologjisë më ka bë të jem aktiviste e “Let’s Do It Kosova” që së bashku të veprojmë dhe bëjmë aksione të ndryshme për pastrimin e vendit tonë dhe nga këtu shpreh dëshirën me thënë një mesazh për të rinjtë që së bashku të shprehim kujdes më të madh për çështjen e ambientit, rina e Kosovës po bën bujë në rajon dhe botë në fusha të ndryshme dhe pse të mos jemi simbol për një ambient të pastër”, tha Thaçi.