Pasuria e majme e zëvendëskryeministrave dhe ministrave të qeverisë Haradinaj

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 10:19 | Nga

Agjencia Kundër Korrupsion ka publikuar deklarimet e pasurisë të zyrtarëve shtetërorë.

Në listën e deklarimeve mungon vetë kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe fytyra të tjera të larta në qeveri, si zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, deklarimi i të cilit është ngatërruar, dhe Dardan Gashi që nuk figuron as në Ministrinë e Diasporës, ku është ministër. Mungon deklarimi edhe i disa ministrave, për çka AKK ka thënë se do të përditësojë së shpejti publikimet

Fatmir Limaj, zëvendëskryeministri tjetër ka deklaruar pasuri të paluajtshme me pronësi të përbashkët në vlerë prej 830 mijë eurosh. Aty hyjnë një banesë, një shtëpi dhe një truall. Ka deklaruar edhe kredinë prej 40 mijë eurosh. Ai ka thënë se ka pagë mujore bruto prej 1356 eurosh.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 285 mijë eurosh, të gjitha pronë e tij. Këtu ka përfshirë dy banesa, një truall dhe veturë Audi A6, për të cilat ka thënë se i ka marrë përmes fitimit nga paga dhe mëditjet. 84 mijë euro i ka deklaruar si para të gatshme në bankë, ndërsa pagë vjetore ka përfshirë pagën nga qeveria (14,628 euro) dhe mëditjet nga ligjëratat në Universitete 7842 euro, transmeton Koha.net.

Dalibor Jevtiq, një nga pesë zëvendëskryeministrat, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej më shumë se 330 mijë eurosh në emër të tij, si dhe një shtëpi e një truall në vlerë prej 135 mijë euro në emër të bashkëshortes. Ai thotë se ka 40 mijë euro para të gatshme në një bankë në Smederevë të Serbisë. Pagë vjetore ka deklaruar 14045 euro.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej rreth 770 mijë eurosh, në pronësi të përbashkët, të prindit dhe të veten. Para të gatshme ka deklaruar më shumë se tre mijë euro, ndërsa kredi më shumëse 105 mijë euro. Ai ka deklaruar të hyra vjetore në periudhën janar 2017 – shtator 2017 prej 14 mijë eurosh nga Kuvendi i Kosovës, pagë vjetore nga qeveria në periudhën shtator 2017- mars 2018 prej afër 23 mijë eurosh dhe pension vjetor nga FSK-ja prej 5736 euro. Mëditjet për një vit, nga Berisha janë deklaruar në vlerë prej 1000 euro.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1 milionë e 800 mijë eurosh ku ka përfshirë një shtëpi, tre hektarë tokë dhe tri vetura. Ka thënë se ka kredi 75 mijë euro, dhe pagë vjetore prej 14 mijë eurosh. Mëditjet i ka deklaruar në vlerë prej 1459 eurosh.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka deklaruar banesë dhe tokë në pronësi të përbashkët dhe të bashkëshortes në total në vlerë prej 155 mijë eurosh dhe aksione 33 për qind në “Bon Vivant”, “Matisse” dhe “Printques”. Detyrimet financiare të tij, në deklarimin e pasurisë, janë në vlerë prej 33 mijë eurosh. Pagë vjetore ka deklaruar 15 mijë euro nga qeveria, 6 mijë euro nga njëri biznes dhe 195 nga Kuvendi Komunal.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka deklaruar dy shtëpi në vlerë prej 200 mijë eurosh në pronësi të përbashkët dhe tokë në vlerë prej 140 mijë eurosh, po ashtu në pronësi të përbashkët. Ai ka deklaruar katër vetura në vlerë prej 34 mijë eurosh dhe para të gatshme në vlerë prej më shumë se 23 mijë euro. Pagë mujore nga qeveria ka thënë se merr 1173 euro.

Dhurata Hoxha, ministre për Integrime Evropiane, ka deklaruar dy shtëpi familjare në pronësi të bashkëshortit dhe të përbashkët me vlerë totale prej 400 mijë eurove. Po ashtu si pasuri të paluajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë prej 16900 eurosh. Ka thënë se ka dy mijë euro të gatshme në emër të saj dhe 33 mijë euro në emër të bashkëshortit. Hoxha ka deklaruar edhe detyrime financiare në vlerë prej 34 mijë eurosh, të veten dhe të bashkëshortit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej më shumë se një milion euro, të gjitha në emër të tij. Këtu ka përfshirë dy shtëpi dhe lokale afariste, tokë 52 ari dhe një shtëpi malore. Ka thënë se i ka 6 mijë euro të gatshme dhe 30 mijë euro kredi. Pagë vjetore ka deklaruar 18 mijë euro, ndërsa të hyrat nga qiraja 15828 euro.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 2.5 milionë eurosh. Ka përfshirë një shtëpi me truall në emër të tij në vlerë prej 232 mijë eurosh dhe dy shtëpi e tokë në pronësi të përbashkët. Dy vetura të deklaruara nga Beqaj arrijnë vlerën e 37 mijë eurove. Ai ka deklaruar edhe para të gatshme në emër të tijin prej 12 mijë eurove, ndërsa në pronësi të përbashkët prej 116 mijë eurove. Fëmijët e tij kanë para të gatshme në vlerë prej 26 mijë eurove. Beqaj ka deklaruar detyrime financiare në vlerë prej 110 mijë eurove, ndërsa të hyra vjetore nga qeveria 20 mijë euro, nga Universiteti i Prishtinës 8000 euro, honorare nga Gjimnazi Cambridge 12 mijë euro dhe angazhim në Universitetin e Pejës prej 2500 eurosh.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar një banesë, një shtëpi dhe tokë në vlerë totale prej 250 mijë eurosh si dhe dy vetura në vlerë 30 mijë euro. Ka deklaruar aksione 50 për qind në “Vala Consulting” në emër të fëmijëve. Para të gatshme i ka deklaruar 10 mijë euro, ndërsa kredi prej 27 mijë eurove. Paga vjetore në deklarimin e pasurisë së Bytyqit arrin në shifrën 13200 euro.

Bajram Hasani, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në pronësi të përbashkët në vlerë prej 650 mijë eurove, ku ka përfshirë truallin, shtëpinë dhe fabrikën Bungu. Në emër të tij ka deklaruar tokë në vlerë prej 28 mijë eurove dhe pajisje të prodhimit 100 mijë euro e dy vetura në vlerë 63 mijë euro. Hasani ka thënë se ka 33 për qind të aksioneve në “City Projects”, me kapital 620 mijë euro. 25 mijë euro janë deklaruar si para të gatshme, ndërsa detyrimet arrijnë në afër 300 mijë euro, në pronësi të përbashkët. Pagë nga ministria ka deklaruar 4437 euro.

Valdrin Lluka, ministër për Zhvillim Ekonomik ka deklaruar pasuri të paluajtshme një shtëpi me sipërfaqe 202 metra katrorë e me vlerë 170 mijë euro. Ka thënë se ka 25 për qind të aksioneve në “Smart Farms”, “Dardanica Group” dhe “Big Bank”, ndërsa është pronari i vetëm i “BI Valoni”. Ka thënë se ka 3 mijë euro të gatshme, ndërsa ka detyrime prej 53 mijë eurove. Pagë nga MZHE ka deklaruar 4150 euro.

Ivan Todosijeviq, ministër i Adiministrimit të Pushtetit Lokal, ka deklaruar pasuri një shtëpi vlerë 60 mijë euro dhe veturë 8500 euro. Ka 1000 euro para të gatshme, ndërsa ka deklaruar pagë mujore 1108 euro në ministri.

Nenad Rikallo, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka deklaruar vetëm kompaninë “Future sistem” dhe ka thënë se ka kredi 10 mijë euro. Ai ka deklaruar edhe pagën vjetore 14 mijë eurosh.

Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike, ka deklaruar pasuri të paluajtshme prej 235 mijë euro në vlerë të përbashkët dhe të veten, ku ka përfshirë shtëpinë, dy banesa dhe tokën. Ka thënë se ka detyrime financiare prej 160 mijë eurosh, në emër të bashkëshortes. Të hyrat vjetore të tij nga paga dhe mëditjet janë 16429 euro.

Rasim Demiri, ministër i Zhvillimit Rajonal, ka deklaruar pasuri në emër të prindit në vlerë prej 550 mijë eurosh dhe pagë vjetore 13 mijë euro.

Të ngjashme