Me gjasë vetëdija jonë për shtetin është në gjendje foshnjore, aq foshnjore sa të flasësh për ide e ideale ngjan njëlloj si të flasësh me një shurdh e memec, përndryshe s’ka se si të shpjegohet krejt kjo amulli mes nesh.
Tanimë në vendin tonë është betonuar indiferentizmi dhe s’na bëhet vonë për asgjë, përndryshe si do të gëlltitej me aq lehtësi fakti i makthshëm se vendi ynë është nën sanksione të perëndimit e me siguri jo për faj të perëndimit, por për shkak të sjelljeve dhe mendësisë thellësisht joperëndimore të institucioneve tona.
Sfera publike është vërshuar prej mediokrëve e egërshanëve, veprimet e të cilëve janë anomali të pastra e çoroditje të pashpjegueshme.
Patriotizmi në këto kushte është veç deklarativ, po veç deklarativ, mburojë sa për t’ i dehë turmat dhe s’përbën kurrfarë vetëdije me dashtë vetveten pa pasë nevojë me urrejtë tjetrin.
Po, edhe dashuria për vendin është veç deklarative dhe tani më kujtohet Fishta i madh dhe pezmatimi i tij tek shihte shqiptarët e trullosur që s’çajnë krye për vend të vet.
E në këtë mishmash politik e kulturor e vërteta ngjan në një tokë të largët, të paarritshme, aq sa po duket se po krijohet një brezni e rrenave të mëdha.
Sepse, gënjeshtrat, egërsia e propaganda janë kthyer në norma ushqyese dhe këto i transmeton afshëm e me gulçima pushteti i sotëm i cili është duke e betonuar të keqen mes nesh.
S’ka korrupsion e krim ma të madh në një shoqëri se sa kur mbillet një ide e keqe, një ide e keqe që prish politikën dhe deformon identitetin e një vendi.