Aktorja Paula Patton, e zbuloi një dukje të re, të dashurin e saj të ri, si dhe eksperiencën e saj me aktoren Meghan Markle, në premierën e filmit të saj të ri “Traffik” e cila zuri vend në Los Angeles.
Filmi e rrëfen historinë e një çifti në një udhëtim romantik, i cili ndeshet me një femër në një pompë të benzinës dhe e cila duket se është në telashe. Por, kur ata mundohen ta ndihmojnë këtë femër, e gjejnë veten të ngatërruar thellë në botën e rrezikshme të trafikimit me femra.
“Ky është një film që kemi dashur ta realizojmë për t’i argëtuar njerëzit. Po ashtu, shpresojmë që në fund të tij, ai të sjellë njohuri për gjithë shikuesit sa i përket skllavërisë. Dhe dua vërtet t’i vë emrin e duhur kësaj dukurie, sepse nuk është trafikim me qenie njerëzore, por është skllavëri. Dhe pastaj, shpresoj se njerëzit do të kenë për çfarë të flasin, pasi ta shohin filmin dhe do të ndiejnë që u janë hapur mendjet dhe zemrat nga ai”, është shprehur Patton.
Gjatë promovimit të filmit të saj, Patton po ashtu tregoi se nusja e ardhshme e mbretërisë angleze, Meghan Markle, ishte punësuar nga Paula dhe ish-i fejuari i saj, Robin Thicke, për ta realizuar kaligrafinë e ftesave të tyre të dasmës.
“Ishte e pamundur ta dije atëkohë që kjo gjë do të ndodhte dhe që ajo do të përfundonte duke u martuar me një princ të vërtetë, por definitivisht, qysh atëherë mund ta ndieje se ajo ishte e veçantë, kështu që nuk jam e befasuar për fatin e saj. Megani është krijuar për të qenë e veçantë dhe për të arritur larg në jetë”, tha Pattoni për të ashtuquajturën “Princeshën Amerikane”.
Në film po ashtu luajnë aktorët, William Fichtner, Omar Epps, Dawn Olivieri dhe Luke Goss. Ky i fundit ishte edhe në Prishtinë, me ç’rast e promovoi filmin e tij të fundit “Your Move” në Cineplexx Kosova.
“Traffik” tashmë ka filluar së shfaquri nëpër kinematë e Amerikës.