Pavarësi territoriale, jo ekonomike, Turqia “mban” me ushqime Shqipërinë

Prishtinë | 28 Nën 2024 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Është vendi më bujqësor në Evropë, i dyti për nga burimet hidrike pas Norvegjisë, me naftë të bollshme në nëntokë e klimë të dëshiruar nga shumëkush, po që ka varësinë më të lartë nga importi.

Me një model ekonomik që më shumë i ngjan një “pazëlli” që duket se po vonon të marrë formën e duhur, me kafenetë e fast-food-et si bizneset më të përhapura, vendi përherë e më shumë varet dhe në drejtime të tjera, si dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja, shkruan A2.

“Një vend zhvillohet duhet zhvilluar pasuritë e veta. Të gjitha luftërat historikisht janë bërë për tokën, ne e lejmë tokën pa punuar. Në vend që të eksportojmë fuqi punëtore, duhet të shfrytëzojmë pasuritë mbi dhe nën tokë që të rritemi”, tha për A2 CN, Maksim Caslli, CEO i American Capital.

Për shkak edhe të lënies së tokës “djerrë”, si pasojë edhe e braktisjes nga njerëzit, Shqipëria shiti një dhe bleu tre produkte ushqimore në harkun e muajve janar-tetor, përcjell A2. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se u eksportuan më pak se 4 milionë fruta, perime dhe produkte të tjera për konsum. Në të njëjtin hark kohor u importuan nga jashtë gati 11 milionë euro ushqime.

“Kur themi pavarësi ekonomike duhet që ato nevojat primare, kryesore të shoqërisë ti, në një përqindje të lartë duhet t’i zhvillosh në vendin tënd siç ndodhi kriza e grurit pas luftës në Ukrainë”, u shpreh Caslli.

Pas më shumë se 30 vitesh tranzicion, ekonomia shqiptare po rezulton e paaftë për të përmirësuar e aq më pak për të ndryshuar veten, duke vijuar të jetë e brishtë përballë thuajse çdo krize qoftë mijëra kilometra larg.

“Kjo kërkon që të bëhet diversifikimi i ekonomisë. Nëse nga një krizë e caktuar preket një pjesë e caktuar e ekonomisë, ku kemi diversifikim, atëherë aftësia për t’u mbrojtur është më e madhe”, shtoi Caslli.

Turqia është ndër vendet me varësinë më të lartë nga importi për Shqipërinë. Nga janari deri në tetor, prej andej u importuan produkte me vlerë mbi 832 milionë euro. Në po të njëjtën periudhë kohore, drejt Turqisë u eksportuan produkte me vlerë rreth 26 milionë euro apo 22.7 herë më pak nga çfarë u importua. 

Të ngjashme