Partia e Drejtësisë (PD), në udhëheqjen e Ferid Aganit, ka nisur mbajtjen e kuvendeve të jashtëzakonshme të degëve, të cilat morën pjesë në kuvendin e jashtëzakonshëm të mbajtur nga një pjesë e anëtarësisë.
Këto degë kanë zgjedhur për kryetar Sylejman Çerkezin. Besnikët e Aganit thonë se ky kuvend ishte i parregullt. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e ka dhënë qëndrimin.
Në një komunikatë dërguar medieve, kjo parti bën të ditur se ka mbajtur kuvendin e jashtëzakonshëm në Vushtrri, ku ka shkarkuar kryetarin Abdullah Klinaku dhe ka zgjedhur në vend të tij, Eroll Venharin.
“Partia e Drejtësisë, dega në Vushtrri, më 15 tetor 2016 mbajti kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të degës me prezencën e 78 delegatëve nga nëntë nëndegë. Në Kuvend u dënuan ashpër veprimet kundër-statutore të ish-kryetarit dhe një pjese të kryesisë së degës si dhe tentativat e tyre për uzurpimin e udhëheqjes së Partisë së Drejtësisë në mënyrë jo ligjore dhe kundër-statutore”, thuhet në komunikatën e PD-së.
Fillimisht Kuvendi me votë unanime shkarkoi kryetarin e deritanishëm të degës, Abdullah Klinaku, dhe pastaj u vazhdua me zgjedhjen e kryetarit të ri të degës me propozime të dy kandidateve nga ana e Kryesisë së degës, Eroll Venhari dhe Mefail Aliu.
Sipas komunikatës, pas tërheqjes së kandidaturës së Mefail Aliut me votë unanime u zgjodhë Eroll Venhari. Kuvendi zgjodhi edhe Kryesinë e re të degës prej 19 anëtarëve si dhe delegatët për Këshillin Drejtues dhe Kuvendin e PD-së.
Me fjale rasti, Kuvendin dhe udhëheqjen e re të degës e përshëndeti dhe përgëzoi kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, i cili theksoi se PD do ta kalojë edhe këtë sfidë të radhës duke vepruar me drejtësi dhe duke e mbrojtur me ngulmë të vërtetën dhe funksionimin statutor dhe ligjor të partisë.
“Partia e Drejtësisë do të vazhdojë të promovojë në skenën politike tëvendit unitetin e vlerave më të mira te tradites kombetare dhe kulturore-fetare të popullit të Kosovës me vlerat e demokracisë progresive konservatore Evropiane, në funksion të shtet-ndërtimit harmonik dhe të suksesshëm të vendit”, përfundon komunikata.
Ndryshe, një pjesë e degëve të PD-së, ditë më parë kanë mbajtur një Kuvend të Jashtëzakonshëm, në të patën shkarkuar kryetarin Ferid Agani, por që ky i fundit nuk e ka pranuar këtë vendim të 16 degëve, duke e quajtur anti-statutor.