Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi thotë se PDK nuk i sheh si prioritet koalicionet tani, prandaj edhe nuk është diskutuar kjo çështje në organet e kësaj partie.
Bytyçi kështu i ka mbyllur derën NISMA-s për koalicion, pasi që gjatë së martës i pari i kësaj partie, Fatmir Limaj tha se po pret ofertë nga PDK për koalicion.
Bytyçi thotë se programi qeverisës është në fokus të PDK-së tani dhe hartimi i listës me të cilën do garojnë në zgjedhje e jo koalicionet.
“Të vetmin fokus që ka Partia Demokratike e Kosovës në këto momente është programi qeverisës qe do t’ia ofrojmë qytetarëve të Kosovës. Ne tani më e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër, jemi në fazën e hartimit të listës me të cilën do të garojmë. Çështja e koalicioneve para dhe pas zgjedhore nuk janë prioritet për ne në këtë fazë. Për këtë arsye edhe nuk janë diskutuar në organet e partisë“, deklaroi Bytyçi për Gazeta Blic.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj të martën ka thënë se pret ofertë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për koalicion parazgjedhor.
“Jemi në negociata me PDK-në për koalicion parazgjedhor. Nuk kemi ndonjë ofertë, por tash i mbetet PDK-së që të vendos”, u shpreh Limaj.