PDK-ja mbledh nënshkrimet për shfuqizimin e vendimit për pronat në Badoc – VV-ja u ngut për protagonizëm

Prishtinë | 04 Shk 2024 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Shefi i asambleistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, njoftoi që PDK-ja ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e vendimit për pronat në Badoc.

Përmes një njoftimi në Facebook, Retkoceri theksoi se derisa PDK po merrte nënshkrimet e nevojshme në terren, LVV doli me njoftim publik për iniciativën e njëjtë.

“Kemi më shumë se tre orë prej që kemi filluar procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e vendimit të dëmshëm për Badovc, me arsyetimin e bashkëngjitur”.

“LVV kishte thënë publikisht se e mbështetë nëse marrim konfirmimet e nevojshme ligjore dhe iu qasëm në bazë të fjalëve të tyre publike për të vepruar për të mirën e përbashkët. Derisa po merrnim nënshkrimet e nevojshme në terren, pamë që LVV doli me njoftim publik për iniciativën e njëjtë. Shumë mirë”.

Por, Retkoceri ka theksuar se për ta nuk ka pasur asnjëherë rëndësi kush thërret mbledhje. “Këtë e kemi dëshmuar edhe me rastin e mbledhjes për faljen e tatimit në pronë. Nuk kemi nevojë as tash për protagonizmin e njëjtë”.

“Ne mbështesim cilëndo thirrje për anulimin e vendimit”, ka shkruar shefi i asambleistëve të PDK-së në Kuvendin e Kryeqytetit.

Të ngjashme