Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në komunën e Klinës ka bërë publik kandidimin e kryetarit aktual të Klinës, Sokol Bashota, për kryetar të Komunës së Klinës nga radhët e PDK-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Kryetari i Degës së PDK-së, Bashota, mbështetjen e kishte marrë unanimisht nga Këshilli Drejtues i Partisë si organ vendimmarrës, bën të ditur Dega e PDK-së në Klinë, nëpërmes një komunikate shtypi.
Kandidatura u bë e ditur gjatë një aktiviteti partiak/pikniku më strukturat dhe aktivistët e partisë, ku të pranishëm ishin edhe nënkryetari, Rexhep Hoti, kryetarja e Gruas Demokratike të Kosovës, Justina Pula-Shiroka dhe deputetja, Ganimete Musliu.
Duke folur para më shumë se 300 aktivistëve të PDK-sëBashota ka falënderuar strukturat e PDK-së për besimin e dhënë dhe është shprehur i bindur në fitoren e radhës së PDK-së në ketë komunë.
Sokol Bashota ka fituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr Klinën që nga viti 2007 për tre mandate rresht dhe tash kërkon mandatin e katërt.
“Ju struktura të PDK-së jeni pjesa kryesore e angazhimit dhe më meritorët për fitoren e PDK-së në Klinë, prandaj kjo barrë do të bie sërish mbi ju dhe ju ftoj që të angazhoheni fuqishëm deri më 22 tetor për të dalë edhe një herë faqebardhë. Bashkë me juve do të realizojmë ëndrrën që e kemi synim drejtë rrjedhës së Lumit Drini Bardhë që shkon në vendin tonë amë. Edhe PDK-ja e ka ketë synim”, u shpreh Bashota.
“Rezultatet shihen dhe preken. Jemi munduar të bëjmë të pamundurën të mundur vetëm për zhvillimin e Komunës së Klinës. Kemi sfida dhe nevoja të qytetarëve dhe sot së bashku besoj se kemi arritur të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve dhe në katër vitet e ardhshme të qeverisjes do të përmbushim shumë nevoja të qytetarëve tanë. Fitorja e PDK-së në të gjitha zgjedhjet ju dedikohet juve. Me 22 tetor Klina prapë do ta japë vendimin e vet për fitoren e radhës së PDK-në”, tha ndër të tjera kryetari i Klinës Sokol Bashota.
Ndërkaq, nënkryetari, Rexhep Hoti, Profesoresha Justina Pula-Shiroka dhe deputetja, Ganimete Musliu, janë zotuar se do të mbështesin fuqishëm kandidaturën e Sokol Bashotës i cili është njëri ndër kryetarët me të suksesshëm”
Bashota ka bërë të ditur se motoja e tij në këto zgjedhje do të jetë “Me ju së bashku për Klinën”.