Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, se qëllimisht ka ndërprerë seancën e sotme, pikërisht kur në rend dite ishte votimi i Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie pas ndërprerjes së seancës, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo është bërë qëllimisht vetëm për ta penguar këtë votim, ndonëse tha se në sallë ishin 80 deputetë.
“Tash e një kohë, mazhoranca po i gjejnë metoda për ta penguar votimin e Trustit. Ju e dini që një kohë që një iniciative ka filluar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e cila ka qenë një artikulim i qytetarëve të Kosovës, prandaj me javë të tëra është gjetur për ta penguar votimin, sikurse edhe sot që në mënyrë arbitrare pikërisht kur ishim te pika e votimit të Trustit. Pra nëse do të ndërpritet seanca, e vendos vetë seanca me mocion procedural, pra ishin në sallë më shumë se 80 deputetë”, tha ai.
“Në mënyrë të paprecedentë në mënyrë arbitrare është ndërprerë seanca e Kuvendit pikërisht kur ishim te pika për Trustin. Nëse do të ndërpritet seanca apo të vazhdojë kjo vendoset me mocion procedural e jo kryetari i Kuvendit. Ju e patë se ishim prezentë rreth 80 deputeë dhe s’kishte arsye që të mos vazhdohet”, tha Tahiri.
Ai poashtu tha se VV ka përkushtim të madh që ta pengojë Ligjin që mundëson tërheqjen nga Trusti.
“Nuk e di se cilat kanë me qenë nesër arsyet për ta bllokuar këtë iniciativë. VV ka një përkushtim tepër të madh që kjo iniciativë ligjore në pengesën e saj, sikur të kishin pas përkushtim kaq të madh në qeverisjen e vendit besoj se s’kish ardhë puna me e kërku tërheqjen e parave tona”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se seanca e sotme u ndërpre nga Glauk Konjufca, pas kërkesës që i ka bërë shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.
Sipas tij, kjo shtyrje e seancës për votim për Trustin po ndodh nga Qeveria për të rritur presionin e deputetëve që të votojnë kundër kërkesës së qytetarëve për këtë Projektligj.
“Ashtu siç janë qytetarët me sjelljen arbitrare të Kuvendit Glauk Konjufca që papritmas dhe pa kujtuar e ndërpret seancën e kuvendit në një pikë që qytetarët e vendit e pritnin me padurim. Pushteti vazhdon të sillet me arrogancë kundër interesave të qytetarëve. Sot kishte një optimizëm brenda kuvendit për ta votuar projektligjin. Kryetari i Kuvendit ashtu siç edhe disa deputetë të mazhorancës iu nënshkruar presionit të Qeverisë nga frika që ky ligj do të kaloj ky ligj dhe me presionin e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila e cila kërkoi nga kryetari i Kuvendnit ta ndërpresë seancë”, tha ai.