Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është shprehur kundër Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, i cili u diskutua të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.
Ministri i Administrimit te Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se përmes këtij plotësim-ndryshimi do të mundësohet funksionimi më i mirë i vetëqeverisjes lokale.
“Ligji për Vetëqeverisjen Lokale është ligj me interes vital. Duke marrë parasysh rëndësinë e tij dhe faktit se janë bërë 10 vjet nga legjislacioni për vetëqeverisjen lokale, kemi paraparë që është e nevojshme të bëhen disa ndryshime”.
“Ato nuk prekin sistemin e vetëqeverisjes lokale dhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit jo shumicë, por vetëm çështjet për funksionimin më të mirë të këtij niveli të qeverisjes”, tha Krasniqi.
Doarsa Kica-Xhelili, në emër të VV-së, tha se komisioni përkatës e ka shqyrtuar këtë propozim dhe e paraqet para kuvendit për miratim. “Vlerësoj se projektligji i plotëson kushtet e parapara”, tha ajo.
Por, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky projektligj duhet të tërhiqet, pasi nuk është diskutuar fare me Asociacionin e Komunave.
“Si mund të votojmë ne sot, pavarësisht se e ka leximin e dytë, kur e ke kundër kryetarët dhe Asociacionin e Komunave”, tha ai.
“Duhet të sillesh më me shumë përgjegjshmëri ndaj njerëzve me të cilët ke më shumë punë, siç janë kryetarët e komunave”, iu drejtua Tahiri, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ministri Elbert Krasniqi tha asnjë kryetar komune nuk ka ngritur ndonjë shqetësim në lidhje me këtë ligj.
“Jam shumë i lumtur që po debatohet, që të rregullohen të gjitha pjesët e vetëqeverisjes lokale”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti Agim Veliu, në emër të Lidhje Demokratike të Kosovës, ofroi mbështetjen për këtë Projektligj.
Në fund, për mungesë të kuorumit, Projektligji për Vetëqeverisjen Lokale nuk u hodh fare në votim.